MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Kemi përparim të konsiderueshëm, vitin e ardhshëm pres raport edhe më të fuqishëm nga KE-ja, qëndrimi për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me përparimin e shtetit të evidentuar nga Brukseli në raportin e tyre dhe konfirmimin nga ana e ambasadorit Rokas, si dhe për ndryshimet kushtetuese, deklaroi:

„Po, vetë ambasadori dje në konferencën për shtyp tha se, në thelb, krahasuar me raportin e vitit të kaluar, këtë vit kemi përparim të konsiderueshëm. Por, është gjithashtu e rëndësishme të thuhet se periudha raportuese nuk i përfshin reformat që tashmë janë realizuar ndërkohë dhe ato që do të realizohen deri në fund të vitit, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e së drejtës.

Kjo për arsye se periudha raportuese përfundon më 31 gusht, ndërsa në kuadër të procesit të Agjendës së Reformave ne kemi realizuar shumë reforma, të cilat gjithashtu janë pjesë e asaj që është e rëndësishme dhe që përbën pjesë të këtyre raporteve të vetë Bashkimit Evropian. Prandaj, pres që vitin e ardhshëm të kemi një raport edhe më të fuqishëm, me të cilin do të konfirmohen përpjekjet e kësaj Qeverie dhe ambicia për të qenë në thelb një Qeveri reformuese.

Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, qëndrimi ynë si Qeveri është i qartë dhe mbetet i pandryshuar. Fatkeqësisht, për shkak të aventurave politike dhe politikës antishtetërore të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, ne tani kemi një kusht politik që janë ndryshimet kushtetuese.

Edhe pse shumë herë në atë kohë paralajmëronim, kur ishim në opozitë, që të mos ndërmerrnin aventura të tilla, për fat të keq, ata nuk na dëgjuan. Dhe tani, ndoshta jemi shembulli i vetëm që, përveç reformave thelbësore që duhet t’i zbatojmë, kemi edhe kushte politike.

Por, kjo është situata. Ne po zhvillojmë dialog me fqinjin tonë lindor. Shpresoj që ky dialog në fund të japë rezultate dhe të mund të flasim për një proces që më në fund, pas 21 vjetësh nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe 26 vjetësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të mund ta fillojmë procesin e negociatave.“