RajoniTop Lajme

SHBA miraton shitjen e sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, marrëveshja kap vlerën e 210 milionë dollarëve

Shpërndaje

Shqipëria ka marrë miratimin e Departamentit amerikan të Shtetit për blerjen e sistemeve raketore HIMARS dhe pajisjeve të tjera ushtarake, në një paketë me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për një nga investimet më të rëndësishme në modernizimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare, që synon t’u japë Forcave të Armatosura aftësi për goditje precize në distanca të gjata.

Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, qeveria shqiptare ka kërkuar blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS (High Mobility Artillery Rocket System), të prodhuara nga kompania amerikane Lockheed Martin.

Paketa përfshin gjithashtu 12 module raketore të drejtuara GMLRS, nga të cilat gjashtë janë të tipit M31A2 me koka luftarake me eksploziv dhe gjashtë të tipit M30A2 me koka luftarake alternative. Duke qenë se secili modul përmban gjashtë raketa, Shqipëria ka kërkuar gjithsej 72 raketa të këtyre dy kategorive.

Përveç sistemeve të lëshimit dhe municioneve, marrëveshja përfshin tetë sisteme taktike IFATDS për menaxhimin dhe koordinimin e zjarrit të artilerisë, dy automjete ushtarake HMMWV, pajisje komunikimi dhe navigimi, mjete transporti e furnizimi, pjesë këmbimi dhe pajisje mirëmbajtjeje.

Në paketë janë përfshirë edhe trajnimi i personelit shqiptar, asistenca teknike, mbështetja logjistike dhe pajisjet e nevojshme për integrimin e sistemeve në strukturat e Forcave të Armatosura.

Financimi i blerjes parashikohet të realizohet përmes programit amerikan Foreign Military Financing (FMF), i cili u mundëson vendeve partnere të financojnë blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane përmes huave. Kontraktori kryesor i projektit do të jetë Lockheed Martin.

Departamenti amerikan i Shtetit argumenton se shitja e propozuar do të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe do të rrisë kontributin e saj në planet e përbashkëta të mbrojtjes së Aleancës.