Dogana e Maqedonisë parandalon futjen e paligjshme të 2.8 tonëve kripë pa jod
Zyrtarët doganorë të Pikës Doganore Shkup 3 kanë parandaluar një tentativë për futjen e paligjshme të 2.8 tonëve kripë të pajodizuar, importi i së cilës është i ndaluar.
Rasti është zbuluar gjatë kontrollit të një malli të deklaruar si kripë industriale, për të cilën importuesi, një prodhues i produkteve ushqimore, kishte siguruar deklaratë se do të përdorej për qëllime industriale.
Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhej fjalë për kripë të pajodizuar dhe jo për kripë industriale, siç ishte deklaruar në dokumentacionin e importit dhe në deklaratën e paraqitur.
Sipas legjislacionit të Maqedonisë, kripa që përdoret në ushqim duhet patjetër të jetë e jodizuar, për shkak të pasojave të dëmshme që mund të ketë për shëndetin e qytetarëve konsumimi i kripës së pajodizuar.
Ndaj personave të dyshuar është iniciuar procedura përkatëse, ndërsa në bazë të vendimit të marrë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, kripa është asgjësuar në deponinë e Drisllës./albazone.mk

