Gogolët serbo-rusë të Lubço Georgievskit, pjesë e luftës speciale
(Katër tezat destruktive të Lubço Georgievskit: ,,Shqipëria e Madhe”, ,,Shndërrimi i Maqedonisë në shtet islamik”, ,,Ndryshimi i kufijve në Ballkan” (thirrje për kaos në kohën e integrimeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE) dhe ,,Ndarja e Maqedonisë, sipas recetës shoviniste serbe”.)
Nga, Abdulla Mehmeti
Ditë më parë u vërshuan edhe mediat në gjuhën shqipe me lajmin dhe komentet në lidhje me një intervistë të ish kryeministrit të Maqedonisë dhe liderit të parë të OBRM-PDUKM, Lubço Georgievski, me gazetaren Renate Flottau për gazetën prestigjioze gjermane „Huffingtonpost“.
E para, konstatimi se ,,ai konsiderohet si një njohës i shkëlqyeshëm i situatës aktuale politike, që gjithmonë korri entuziazmin e bashkësisë ndërkombëtare me tezat e tij të guximshme për të ardhmen e Ballkanit”, është konstatim tepër i gabueshëm, nëse merren parasysh faktet se, po ky ish kryeministër dhe lider partie ka qenë politikani më kontrovers, jo vetëm në periudhën e qeverisjes së tij, sidomos me tezën për shkëmbimin e territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe me deklaratat për ndërtimin e murit ndarës me shqiptarët (në Grupçin, mes Shkupit dhe Tetovës) më 2001, projekt i hershëm dhe i njohur serb për dobësimin dhe dëmtimin e faktorit shqiptar në rajon.
E dyta, ky politikan i brumosur në kuzhinat e ish sigurimit shtetëror jugosllav, i pyetur nga gazetarja Renate Flottau se projekti ,,Shqipëria e Madhe”, për shumë njerëz në rajon është një makth, ai ka thënë se: ,,dëshiron ndryshime të kufijve të Maqedonisë, dhe mes tjerash ka konstatuar se: “Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë së Madhe”.
Koncepti ,,Shqipëri e Madhe” është denoncuar shumë herët nga vetë shqiptarët sepse përbën një kurth serb për komprometimin e faktorit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe pengimin e lëvizjes politike shqiptare për realizimin e aspiratave për çlirim dhe bashkim kombëtar të trojeve etnike të mbetura padrejtësisht nën sundimet e huaja, si rezultat i të cilës edhe sot shqiptarët jetojnë të ndarë në 4 shtete fqinje, jashtë shteteve të veta etnike, Shqipëri dhe Kosovë.
Lubço Georgievski, si një politikan i dështuar dhe kompremetuar në vendin e tij, por edhe si intelektual me format xhepi, nuk mund të bëhet këshilltar i shqiptarëve për çështjen e tyre kombëtare të pazgjidhur dhe për mënyrën si duhet të mendojnë dhe veprojnë për realizimin e interesave të tyre. Kjo nuk është e pranueshme, sidomos tani kur shtetet e Ballkanit Perëndomor janë në procesin intensiv të integrimit në BE dhe NATO, kurse vendi i tij, Maqedonia, përballet edhe me një sfidë tjetër, zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin e shtetit.
Është tepër naive të mendohet se Lubço Georgievski po e mbron dhe afirmon çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, kur në qeverisjen e tij, të partisë dhe kuadrit politik që krijoi ai dhe la për trashërimtarë që ta qeverisin shtetin pas tij, janë dënuar, vrarë dhe masakruar shqiptarët më tepër se kurrë më parë!
Sipas disa madiave në gjuhën shqipe, ai më tej parashikon se në Maqedoni ,,do të ndodhë një marsh i vdekjes, ndërsa për momentin vendi donimohet me mbi 30% të popullatës së fesë myslimane, ndërsa në të ardhmen Maqedonia mund të bëhet vend mysliman”. Kjo deklaratë përbën skandalin më të madh, kur thotë se: “duhet të jemi realistë, zhvillimi demografik i popullsisë shqiptare po rritet me shpejtësi. Sot kemi ndoshta 25-30% shqiptarë në Maqedoni. Në 10 deri në 20 vjet të ardhëshme Maqedonia do të jetë një vend mysliman”. Sipas tij, ,,nga 180,000 fëmijë që aktualisht e ndjekin shkollën fillore në Maqedoni, 60,000 mësojnë vetëm në shkollat shqipe”.
Më tej, gazetarja e ka pyetur edhe për mundësinë e ndyshimit të kufijve në Ballkan ku ai është shprehur se kufijtë duhet të ndryshohen. “Gjithnjë e më shumë analistë tani pajtohen me mua se qetësimi i këtij pluhuri baruti të ngritur në Ballkan është i mundur vetëm nëse kufijtë rishikohen në një konferencë ndërkombëtare”.
Pasi ta lexojnë këtë intervistë të plotë, sidomos shqiptarët, duhet të kenë paraysh së paku tri teza të Lubço Georgievskit, të cilat përbëjnë gogol të propagandës serbe dhe ruse për dëmtimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, edhe atë:
1. Koncepti ,,Shqipëri e Madhe” është pjellë e propagandës serbe dhe ruse, e përhapur gjatë shek. XX, e që vazhdon edhe sot të përhapet përmes disa qendrave të huaja që punojnë për diskreditimin dhe dobësimin e faktorit shqiptar në rajon dhe jo vetëm.
2. Teza se “Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë së Madhe”, në mënyrën si thuhet, kohën kur thuhet dhe sipas konceptit si kuptohet dhe propagandohet kjo çështje nga Lubço Georgievski, nuk është qëllimmirë dhe mund t’i shërbejë vetëm propagandës serbe, jo edhe shqiptarëve dhe afirmimit të çështjes kombëtare të tyre.
3. Teza se ,,Maqedonia do të dominohet në 10-20 vitet e ardhëshme nga shqiptarët myslimanë, dhe me këtë në oborrin e Evropës po tolerohet krijimi i një shteti të ri ,,islamik”, për të cilin ende disa shtet evropiane kanë paragjykime, gjithashtu është pjesë e propagandës sllave kundër shqiptarëve.
4. Teza për ndryshimin e kufijve mes shteteve ballkanike, në kohën kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor po integrohen së bashku në BE dhe NATO, gjithashtu është anakronike dhe e vjetëruar, dhe si e tillë konsiderohet pjesë e luftës speciale për mbajtjen në ankth të rajonit, i cili edhe ashtu përditë e më tepër po zbrazet nga pjesa më vitale e popullsisë.
Një përgjigje e vetme është e mjaftueshme për demaskimin e këtyre tezave të Lubço Georgievskit, kur konstaton se ,,për 10-20 vitet e ardhëshme Maqedonia do të dominohet nga popullsia muslimane”. Jo që ky politikan dhe megafon i propagandës serbe dhe ruse nuk ka njohuri për përbërjen reale të popullsisë në Maqedoni, meqë ka qenë edhe kryeministër i këtij shteti, por teza e tij shtrohet mbrapshtë, kur shqiptarët i paraqet si ,,muslimanë”, me këtë dhe si element i rrezikshëm për të ardhmen e rajonit dhe të Evropës, si pjesë e propagandës qëllimkeqe që lehtë nënkuptohet nga intervista e dhënë për gazetën gjermane.
Duhet t’ia përkujtojmë Lubço Georgievskit dhe mediave që bien pre e kësaj propagande, e luftës speciale në shërbim të interesave serbe dhe ruse në rajon, se:
1. Shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk janë identifikuar në bazë të përkatësisë së tyre fetare, por pandalur kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për të drejta kombëtare, për shkolla shqipe, gjuhë, flamur, barazi të plotë kombëtare, si dhe për liri e barazi qytetare, progres shoqëror, zhvillim ekonomik dhe qytetari evropiane.
2. Shqiptarët në Maqedoni nuk përbëjnë 25-30% të popullsisë së përgjithshme në këtë shtet, por së paku 40%, edhe atë, si popull tradicionalisht i pandarë mbi baza fetare, në muslimanë, ortodoksë dhe katolikë.
3. Nëse sipas shijes së këtij politikani të dështuar, popullsia e Maqedonisë do të numërohej në bazë të përkatësisë fetare, atëherë të dhënat zyrtare më të reja nga Enti shtetëror i statistikës, në Shkup, të publikauara në vitin 2017, e demantojnë keq atë, meqë muslimanë në këtë shtet janë edhe turqit, romët, boshnjakët dhe grupet etnike që nuk regjistrohen si të veçanta nga organet e pushtetit, edhe atë: torbeshët (maqedonasit myslimanë, siç i quan politika zyrtare), goranët, kurdët, yrikët, çerkezët dhe të tjerë. E, që të gjithë së bashku përbëjnë zyrtarisht, jo 30% të popullsisë së përgjithshme, por mbi 47% të saj*, ndërsa jozyrtarisht mbi 52% të poullsisë në Maqedoni. Dhe të gjithë këta nuk janë qytetarë ilegalë, por banorë të shtetit që ia paguajnë të gjitha kontributet dhe e ndërtojnë së bashku me të tjerët, meqë e kanë të vetmin atdhe, jo si Lubço Georgievski që ka dy-tri shtetësi.
Sipas të gjitha këtyre konstatimeve të Lubço Georgievskit, çudi si ka harruar me kohë ta shpall Maqedoninë ,,shtet islamik” dhe vatër rreziku për Evropën e bashkuar dhe demokratike!
Me këtë rast, mjafton t’i përmendim të dhënat zyrtare për numrin e fëmijëve të lindur gjatë vitit 2016, sipas përkatësisë etnike të prindërve të tyre, ku shihet qartë se, nga gjithsej 23,002 fëmijë të lindur, 12.047 janë maqedonas, 7.774 shqiptarë, 1.031 turq, 1.334, 233 boshnjakë, 427 të tjerë (jomaqedonas).* Nga ku del se mbi 47% e qytetarëve të Maqedonisë janë me përkatësi tjetër etnike, të ndryshme nga ajo maqedonase, kurse shumica dërmuese e tyre i takojnë besimit islam. Këto përqindje dalin të ngjashme edhe sipas paramatrave të tjerë, pavarësisht se nuk është bërë regjistrimi i popullsisë në këtë shtet, që nga viti 2002.
Për fund, pjesa dërmuese e qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, kulturore e gjuhësore, këto dallime ia kanë lënë historisë dhe të kaluarës, përballë fatkeqësisë së përbashkët në të cilën i ka sjellë regjimi i mëparshëm i partisë që e ka themeluar dhe drejtuar Lubço Georgievski, kur të gjithë njësoj e paguajnë targën e vjedhjeve të pasurisë së shtetit dhe qytetarëve, të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me shpresë se një ditë së bashku do të jetojnë në paqe e progres, dhe kur fëmijtë e tyre nuk do ta braktisin vendin për shkak të politikave të dështuara dhe shkurtpamëse të politikanëve si Lubço Georgievski, të cilët kanë punuar edhe për interesat e djallit dhe të birit, por asnjëherë për interesat e qytetarëve dhe të shtetit.
*Publikimi ,,Maqedonia në numra”, Enti shtetëror i statistikës, Shkup, 2017, f. 14.