Rajoni

Takimi i Berlinit, rinisje e dialogut apo marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë

Shpërndaje

Me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, më 29 prill në Berlin do të mbahet një takim i vendeve të Ballkanit, që do të shënojë edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Organizatorët nuk kanë dhënë ndonjë hollësi rreth synimeve të takimit, ndërsa tashmë janë shtuar debatet se çfarë në fakt synon Berlini dhe çfarë peshe do të ketë ai takim për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Derisa sa mediat në Prishtinë dhe Beograd flasin për një planë që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi, kjo mohohet nga lidershipi kosovar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se nuk ka informata për një propozim që mund të shfaqet në takimin e Berlinit, të cilin e vlerësoi të rëndësishëm, ndërsa nënvizoi se nuk është “i mandatuar me negociue marrëveshje me Serbinë sepse Parlamenti ka mandatu delegacionin shtetëror, platformën. Pra nuk e shoh rolin tim si negociues në tavolinë” tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se “takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin”.

Por, ai theksoi se “bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”.

Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pret që në Berlin të ndodhet nën trysni për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe që “Serbia të mos fitojë asgjë”. Ai tha se pret bisedime të vështira me përfaqësuesit shqiptarë dhe aspak të lehta me presidentin Macron dhe kancelarin Merkel, por “nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën.