Maqedoni

VMRO-DPMNE: Nëse rezultati i zgjedhjeve numërohet sipas mandateve, ne do t’i kemi 53, LSDM 41

Shpërndaje

Nëse rezultati i rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale numërohet sipas mandateve, atëherë ne duhet të formojmë shumicë të re parlamentare dhe qeveri të re.
Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev një ditë pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, duke e porositur LSDM-në që ta ruajë ambientin demokratik në rrethin e dytë, njofton Portalb.mk.

“Nëse rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të llogariten në mandate të deputetëve, VMRO-DPMNE-ja është partia politika e cila duhet të krijojë shumicë të re në Kuvend dhe Qeveri të re. Analizat fillestare tregojnë se VMRO-DPMNE-ja do të fitojë 53 mandate të deputetëve, ndërkaq LSDM-ja 12 më pak, gjegjësisht 41. Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët 13 deputetë, po aq edhe BDI-ja”, tha Janushev.

Sipas tij, realiteti i ri i Maqedonisë është se qytetarët kanë zgjedhur drejtësi për Maqedoninë.

“LSDM si parti politike në mënyrë dramatike e ka humbur mbështetjen te qytetarët dhe këtë e konfirmojnë të dhënat dhe faktet. Pushteti, është i delegjitimuar për shkak realitetit të dhimbshëm të ngarkuar me krim, korrupsion, varfëri dhe padrejtësi. Qytetarët ndjehen të mashtruar nga pushteti. Rezultatet nga zgjedhjet kanë treguar se VMRO-DPMNE është fuqi politike me besueshmëri më të madhe mes qytetarëve dhe se politikat e qytetarëve përjetojnë humbje. Besojmë fortë në fitore në rrethin e dytë të zgjedhjeve”, tha Janushev.

Ndryshe, sipas numërimit të 99.80% të votave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, votuesit e vendit në këto zgjedhje presidenciale kanë votuar në këtë mënyrë:

Blerim Reka: 79.915 apo 10,57%
Gordana Siljanovska: 319.240 apo 42,24%
Stevo Pendarovski : 323.846 apo 42,85%
Vota të pavlefshme: 32.828 apo 4,34%.