Opinione

Me turbofolk-patriotizëm në qorrsokak

Shpërndaje

Kohëve të fundit ka qenë pothuaj e padurueshme të dëgjosh, lexosh e shohësh jo pak shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kryesisht militantë të partive politike opozitare, duke u përpjekur të njollosin çdokënd që «nuk voton shqip». Të «votosh shqip» domethënë të votosh kandidatin shqiptar. Kush nuk do të bënte këtë – ose u quajt tradhtar ose shërbëtor tradhtarësh. Krejt kjo fushatë mori flakë e zjarr edhe në mesin e brigadave të mediave sociale, që duke mos e kuptuar momentin tejet delikat historik e gjeopolitik në të cilin ndodhet Maqedonia e Veriut, kultivuan një turbofolk-patriotizëm që rrezikon ta fusë vendin sërishmi në qorrsokak.

Në shënjestër u vu kandidati i Partisë Socialdemokrate të Maqedonisë dhe i Bashkimit Demokratik për Integrim, Stevo Pendarovski. Mesazhi i turbofolk-patriotëve shqiptarë ishte ky: mos votoni «për shkaun», «mos votoni për sllavin», «mos votoni për Pendarovskin, sepse ai ka qenë zyrtar në Ministrinë e Brendshme gjatë luftës në Maqedoni». Kjo gjuhë e ndyrë shoqërohej edhe me një batare mbi «Ali Ahmetin tradhtar». Lehtësia me të cilën në ambientin politik shqiptar ngjiten etiketa tradhtie është e neveritshme. BDI – si çdo parti e tranzicionit politik në Ballkan – ka të metat e veta dhe për këtë duhet të kritikohet, por gjuha e kafehaneve që përdoret nga disa parti opozitare shqiptare në Maqedoni nuk shpie në asnjë cak të duhur.

Nëse për shqiptarët Stevo Pendarovski nuk qenka i denjë për t’u votuar, sepse para dy dekadave paska ushtruar një funksion në Ministrinë e Brendshme, atëherë jo vetëm nacionalistët maqedonas mund të pyesin: e përse të lejojmë të merret me politikë një «terrorist» si Ali Ahmeti, i cili nga «mali u fut në parlament e qeveri»? Si mund të kultivohet kjo mendësi edhe gati 20 vjet pas luftës?

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev prej se ka ardhur në pushtet ka punuar shumë dhe në fund e ka zgjidhur një problem që e ka mbajtur Maqedoninë (tashmë të Veriut) peng të politikave nacionaliste dhe mesjetare të ndjekura nga Athina e Shkupi. Kjo politikë e papërgjegjshme e absurde lidhur me çështjen e emrit ka zgjatur mbi 25 vjet. Greqia bllokoi hyrjen në NATO dhe fillimin e negociatave për në BE. Me zgjidhjen e çështjes së emrit Maqedonia kreu formalitetet për t’u anëtarësuar në NATO. Se çfarë do të bëhet me negociatat për anëtarësim në BE, është ende e paqartë. Dhe paqartësia mund të rritet nëse në Maqedoninë e Veriut dështojnë zgjedhjet presidenciale ose nëse fiton kandidatja e VMRO-së, një partie që dëshiron të prapësojë të gjitha të arriturat e qeverisë aktuale të qendrës së majtë.

E dëmshme dhe, për fat të keq, aspak befasuese ishte që në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut u kyçën edhe politikanë nga Kosova si Albin Kurti, i cili e ka një talent të rrezikshëm që t’i bashkohet çdo kori partizan që këndon, mendon, brohorit, kërcen e piskat «shqip» – me rëndësi të jetë kundër «establishmentit». Po a nuk ishte kreu i Vetëvendosjes ai që më së shumti e ka përkrahur Zoran Zaevin? A nuk i lavdëronte ai aq shumë politikat e reja progresive socialdemokrate në Shkup? Të shkuara, të harruara. Sipas nevojës Kurti paradite është socialdemokrat, pasdite borizan nga Kalaja e Tetovës me tone të çjerra patriotike.

A ishte çasti i duhur për një kandidat shqiptar për president të Maqedonisë? Ashiqare jo, sepse shumica sllave është aq e përçarë në dy kampe dhe duhet pak kohë derisa të tejkalohet trauma e ndryshimit të emrit – një traumë fiktive, por edhe si e tillë nuk mund të injorohet. Pa marrë parasysh cilësitë e kandidatit shqiptar, kalkulimi ishte i gabueshëm: reduktimi i tij (sidomos nga Kurti dhe patriotët e Facebookut) në «kandidat shqiptar» doli të jetë kontraproduktiv. Retorika e kandidatit shqiptar skiconte një Maqedoni të «bashkëjetesës etnike», por në horizont përkrahësit e tij e projektonin një Maqedoni që është vetëm diçka e përkohshme në rrugën drejt «bashkimit kombëtar». Për t’i hedhur pak vegetë kësaj gjelle madje e kishin angazhuar edhe Shkurte Fejzën – me gjasë Albin Kurti nuk mjaftonte.

Shumica sllave e maqedonasve mbetet e përçarë dhe e polarizuar. Regjimi i Nikolla Gruevskit me vite të tëra ka arritur të krijojë një bazë të gjerë – me para nga buxheti, me ushqim të një nacionalizmi të helmët, me urrejtje ndëretnike, me fjalor antiperëndimor, me lartësim të pansllavizmit. Pala shqiptare do të duhej të bashkohej dhe duke përkrahur një opsion qytetar të zgjedhë një president që garanton vazhdimin e rrugës proeuropiane të Maqedonisë së Veriut. Në vend të kësaj partitë opozitare shqiptare (Besa që dyshohet të jetë degë e partisë së padishahut turk në Maqedoni dhe grupi politiko-popullist i Zijadin Selës) vendosën që betejën e tyre legjitime kundër BDI-së ta zhvillojnë edhe përmes garës presidenciale. Një gabim i radhës.

Konkurrenca politike është kudo e shëndetshme për demokracinë, por kjo duhet të zhvillohet në terren të përshtatshëm dhe jo kudo ku jepet rasti. Është krejtësisht legjitime të luftohet BDI, por jo duke i mbyllur sytë para rrethanave gjeopolitike në të cilat ndodhet rajoni. Ka disa akterë që gëzohen nëse dështon qeveria e Zoran Zaevit – janë Rusia e Vladimir Putinit, Serbia e Aleksandër Vuçiqit (e cila ka dërguar spiunë e «gazetarë» për të penguar ndryshimet demokratike në Shkup) dhe mbi të gjithë janë reaksionarët maqedonas. Të gjithë këta në masë të ndryshme po luftojnë për të varrosur pajtimin me Greqinë lidhur me çështjen e emrit. Përballë këtij mobilizimi për shqiptarët nuk do të duhej të kishte fare dilemë se në cilën anë të frontit duhet të jenë.

A duhet të ketë Maqedonia një kryetar shqiptar? Pse jo. Por ai moment vjen kur tërë Maqedonia të funksionojë siç funksionon nganjëherë televizioni dygjuhësor Alsat: kur, për shembull, moderatorja elokuente Zejxhane Osmani me lehtësi driblon nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, kur korrespondenti nga Ohri flet maqedonisht, e ai nga Tetova shqip. Në këso çastesh Maqedonia ka një sharm zviceran, por ende vetëm në një studio televizive. Një kandidat shqiptar fiton atëherë kur atij ia falin besimin edhe maqedonasit në Gjevgjeli. Ky kandidat nuk fiton me tubime të izoluara në Tetovë, ku brohoritet mbi lidhjet historike mes këtij qyteti dhe Prizrenit. Këtë lidhje sot askush nuk e pengon – përveç mungesa e strategjisë zhvillimore në të dy anët e kufirit. Kjo lidhje do të bëhet më e fortë nëse Maqedonia përparon në rrugën drejt BE-së dhe kufijtë me Kosovën bëhen të parëndësishëm dhe shihen si shans.

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», e cila ka merita historike për raportim korrekt dhe me një simpati bazike për kërkesat e shqiptarëve për barazi politike, ekonomike e sociale, dje në një shkrim analitik shkroi se Stevo Pendarovski do të ishte garant i vazhdimit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike. Fakti se socialdemokratët e Zoran Zaevit dhe partia e liderit të shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, kanë arritur që njëzet vjet pas përfundimit të luftës pothuaj civile mes maqedonasve dhe shqiptarëve të kapërcejnë hendekun etnik dhe të fusin në garë një kandidat të përbashkët «është një shenjë inkurajuese për Maqedoninë e Veriut. Sepse për shkak të përbërjes së popullsisë ky shtet i Ballkanit ose ka një të ardhme multietnike, ose do të shpërbëhet».

Shtetet e vogla nuk gëzojnë shpesh shanse historike. Për të përkrahur qeverinë dhe Maqedoninë në përgjithësi për të zgjidhur çështjen e emrit, vitin që shkoi në Shkup erdhën kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, erdhën zyrtarë të BE-së, ministra të Jashtëm, rol pozitiv luajti edhe Edi Rama dhe ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Rrethanat ndërkombëtare po ndryshojnë shpejt dhe zor se Washingtoni, Berlini e qendra të tjera me ndikim kanë kohë të merren përsëri me një ngatërresë primitive ballkanike po qe se mendjemadhësia e maqedonasve dhe mendjelehtësia e shqiptarëve bëhen bashkë dhe në postin e presidentes e sjellin një populliste si Gordana Siljanovska që synon të rikthejë atë Maqedoninë pseudoantike dhe të korruptuar të Nikolla Gruevskit. Në fushatën elektorale Siljanovska në mënyrë konsekuente ka folur për Maqedoninë dhe jo Maqedoninë e Veriut. E paqartë është nëse ajo do të betohej në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Krahas përçarjeve mes partive shqiptare zgjedhjet e së dielës në Maqedoninë e Veriut shpalosën një problem me të cilin gati askush nuk po merret seriozisht: ikjen masive të popullsisë shqiptare. Edhe për këtë shkak pjesëmarrja e shqiptarëve ishte aq e vogël, në disa komuna rreth 17 për qind. Një shifër tmerrësisht e ulët. Patriotët e Facebookut kanë qejf të thonë se 50 për qind e gati dy milionë banorëve të Maqedonisë janë shqiptarë. Në mediat ndërkombëtare ekziston një pajtueshmëri e heshtur se shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut. Por sa shqiptarë banojnë me të vërtetë në Maqedoni?

Evidente është se qytetarët shqiptarë po protestojnë me këmbë – duke ikur nga vatrat e tyre. Ky problem nuk do të zgjidhet duke kënduar këngë me çifteli për «heronjtë e Kumanovës», shumica prej tyre kriminelë të regjur që kanë bërë hata kudo në Kosovë. Në raundin e dytë shqiptarët kanë në duar shansin për të përkrahur kursin properëndimor që ka filluar me qeverinë e Zoran Zaevit. Por gjasat po duken të vogla përballë apatisë shoqërore dhe indiferencës ndaj proceseve politike. Atëherë kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, do të jetë edhe ushtrues detyre i kryetarit të shtetit – dhe ky do të jetë një rast që edhe patriotët e turbofolkut shqiptar t’ia ndiejnë lezetin politikës së papërgjegjshme dhe shkurtpamëse. Por ky lezet nuk do të zgjasë më shumë se pesë minuta. Sepse kriza politike do të thellohet dhe azilanti i dënuar Nikolla Gruevski mund të ketë sërish shpresë për të hipur mbi Kalin e Aleksandrit të Madh në Shkup.