Jankullovska në korrik mund të përfundojë prapa grilave
Gordana Jankullovska përkohësisht shpëtoi nga burgu. Gjykata e pranoi lutjen e saj që dënimi t’i prolongohet për disa muaj. Si arsye kryesore është bebja e saj e cila ende nuk ka mbushur një vit. Prolongimi i vuajtjes së dënimit me burg për lëndën “Tanku” vlen deri më 1 korrik, kur Jankullovska duhet të paraqitet në burg ose sërish të kërkojë prolongim, mundësi e cila qëndron në dispozicion. Jankullovska është dënuar me gjashtë vite burgim për furnizimin e Mercedesit të blinduar luksoz. Apeli ia uli dënimin në dy vite.
Gjykatësi për ushtrimin e sanksioneve që veproi me kërkesë të të akuzuarës mori vendim me të cilin aprovohet prolongimi i zbatimit të sanksionit deri më 01 korrik të vitit 2019 për shkak të ruajtjes së fëmijës – njoftojnë nga Gjykata Penale.
Përveç Jankulloskës, në lëndën “Tanku” me dy vite burg ishte dënuar edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski si dhe Gjoko Popovski, ish-ndihmësministër në MPB, i cili është dënuar me katër vite e gjashtë muaj. Nga Gjykata Penale informuan se shënimet nga lënda “Tanku” janë dërguar në Gjykatën Supreme, meqë i arratisuri Nikolla Gruevski kërkon që gjykata më e lartë të rishqyrtojë aktgjykimin për furnizimin e Mercedesit luksoz. Lënda është para Këshillit Penal të Gjykatës Supreme, kryetar i së cilës është Jovo Vangellovski, kumbar i ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski.