Ahmeti: 137 mijë vota të Pendarovskit ishin tonat

Shpërndaje

Partitë politike shqiptare përvetësojnë meritat për fitoren e Stevo Pendarovskit. Subjektet që mbështetën kandidaturën e tij, duke akuzuar njëra-tjetrën pretendojnë se trupi i tyre elektoral i ka garantuar fitoren presidentit të ri. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmë pak mitura pas mbylljes së kutive, duke iu referuar të dhënave nga qendrat analitike të subjektit tij, theksoi se BDI i garantoi fitoren Pendarovskit, duke akuzuar opozitën për bojkotimin e balotazhit.

Pa hyrë në detaje por në bazë të dhënave që mi jep sektori analitik, lëvizjet nga 100-137 mijë vota të cilat BDI i ka siguruar për Pendarovskin. Ne e kemi ditur se kemi opozitë jo të përgatitur për udhëtime të gjata dhe sot jam shumë i dëshpëruar me bojkotin që krerët e opozitës që i kanë bërë këtij procesi kaq madh që ka ndodhur në vendin tonë- deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Lëvizja Besa kundërshton idenë e partive shqiptare në pushtet. Sipas Arjanit Hoxhes, votat e opozitës shqiptare bënë që rrethi i dytë të dallojë nga rrethi i parë zgjedhor.

U dëshmua që në raundin e parë zgjedhorë se kush sa e ka peshën votuese. U dëshmua se vendimtare është vota e partive opozitare shqiptare dhe ajo votë që u morr në raundin e parë u dëshmua edhe me fitoren e zgjedhjeve dhe mos rënien e procesit. Forca e partive shqiptare në Qeveri, BDI-së dhe tre të tjera u dëshmua që në raundin e parë- tha Arianit Hoxha, Sekretar i Lëvizjes Besa.

Bojkotin e mohon edhe Aleanca për Shqiptarët nga ku BDI-së i kujtojnë rezultatin e votave shqiptare në rrethin e parë zgjedhor.

Sikur opozita shqiptare ta kishte bojkotuar këtë proces, nuk do të ishte arritur cenzusi dhe zgjedhja e Pendarovskit do të ishte e pamundur. Nëve që në raundin e parë matëm forcat me partitë shqiptare dhe aty u pa që BDI-ja ishte e pamjaftueshme për t’i dhënë përkrahje një kandidati për president- tha Flakron Bexheti, Zëdhënës i ASH-së.

Kryeministri Zoran Zaev porositi subjektet shqiptare që të mos krekosen në përvetësimin e votave.

Të mos krekosemi ne politikanët. Votuesit askush nuk i mban ne xhep e të thotë se i siguroi ose jo dikujt vota. Janë politikat ato të cilat i mbështesin qytetarët duke filluar nga të LSDM-së dhe të tjera- deklaroi Zoran Zaev.

Merita për rezultatin përvetësuan edhe subjektet shqiptare në pushtet, PDSH, Alternativa dhe RDK-ja. Në rrethin e dytë, Stevo Pendarovski shënoi fitore absolute në të gjtiha komunat të banuara me shqiptarë./Alsat/