Maqedoni

“Jugo” dhe 12 mijë euro në bankë është pasuria e presidentit të ri

Shpërndaje

Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i ri Maqedonisë së Veriut. Profesori universitar dhe administratori që mbante poste të larta në kabinetet e presidentëve të kaluar ka një pasuri të një qytetari të zakonshëm.
Sipas të dhënave të publikuara në ueb faqen e Komisionit Antikorrupsion, Pendarovski posedon një makinë të vjetër JUGO dhe një llogari devizash në të cilën ka 12 mijë e 230 euro. Ndërsa bashkëshortja e tij ka një makinë Reno Megan dhe një llogari devizash. Pendarovski siç pati treguar gjatë fushatës, Jugon e mban për nostalgji pasi nuk është funksionale, dhe e shfrytëzon makinën e gruas. Gjatë fushatës atij iu nxorrën fotografi me një makinë luksoze, por për të cilën, Pendarovski tha se e ka marrë në shfrytëzim.

Pendarovski gjatë gjithë karrierës zyrtarisht ka jetuar me një rrogë nëpunësi shtetëror, ndërsa viteve të fundit ka punuar si profesor universitar, por edhe deputetë nga viti 2016. Para kësaj ishte këshilltar për siguri në kabinetet e ish-presidentëve Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski.

Stevo Pendarovski do të betohet në postin e ri më 12 maj, kur do ti përfundojë mandati presidentit aktual Gjorge Ivanov, i cili ushtroi detyrën e presidentit për dy mandate. (INA)