“Xhamia e Ohrit”, Zaev: Do të gjejmë zgjidhje
Kryeministri, Zoran Zaev, sot ka komentuar protestat e djeshme kundër ndërtimit të minares prej 32 metrash që po vazhdon tashmë të ndërtohet në xhaminë Ali Pasha në Ohër. Zaev tha se është i bindur se përmes dialogut do të mund të gjendet zgjidhje për çështjen e minares. Ai mohon të ketë pasur premtim për ndërtimin e minares
“Nuk ka këtu premtim, premtimi për të gjithë ishte të ulemi dhe të bisedojmë. Ohri është shembull për bashkëjetesë. Ohri është shembull tipik i “një shoqërie për të gjithë” për të cilët flasim sot përmes draft strategjisë nacionale. Unë besoj se përmes dialogut do t’i gjejmë zgjidhjet, pasi vetëm përmes dialogut është e mundur që të zgjidhen problemet që shfaqen ndonjëherë , për shkak të nevojave përkatëse të një komuniteti, grupi përkatës në shoqëri”, pohoi Zaev.
Gjatë ditë së djeshme rreth 200 qytetarë të Ohrit kanë protestuar para komunës kundër ndërtimit të minares në xhaminë Ali Pasha në Ohër, ata thonë se kanë kërkuar nga institucionet e këtij qyteti të marrin masat e duhura për të ndaluar ndërtimin e kësaj minareje./alsat/