Lideri i ASH-së, Ziadin Sela: A do të hynim sërish në aventurën e kësaj qeverie? Jo
Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase, lideri i partisë politike opozitare shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), Aleanca për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka folur për të bërit pjesë e koalicionit qeverisës aktual, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për mundësinë e koalicionimit me VMRO-DPMNE-në dhe për Ligjin për Prokurori Publike, transmeton Portalb.mk.
Sela është shprehur i prerë se nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës aktual.
“Ne jemi konsistent si parti politike, dhe kur sjellim vendim, vendimet tona janë mirëmenduar. Nëse nuk do të ishte Aleanca për Shqiptarët ai faktor i cili do t’i ndryshonte punët politike gjatë vitit 2017-të, sot nuk do të kishim as NATO, as datë për negociata. A çfarë fituam, si na e kthyen? Raport jokorrekt nga ana e kryeministrit gjatë zgjedhjeve lokale 2017. A do të hynim ne sërish në atë aventurë? Jo. Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e pushtetit, kur do të fitojë në zgjedhje parlamentare. Tash nuk shohim arsye që të kthehemi dhe të jemi pjesë e atij pushteti. Do të ktheheshim vetëm nëpërmjet procesit zgjedhor dhe nëpërmjet marrjes së legjitimitetit”, tha Sela, i cili i pyetur se cilat do të jenë kushtet për të koalicionuar me VMRO-DPMNE-në, ai tha:
“Në mënyrë hipotetike do të më pyesnit se cila janë kushtet nëse unë do të ulem me Zoran Zaevin dhe LSDM-në?”.
Sela ka përsëritur qëndrimin e tij se, RMV-së i duhen zgjedhjet të parakohshme parlamentare, për siç tha ai që të largohet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga qeveria, dhe të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të RMV-së në BE.
“Nëse e kemi parasysh se njëra nga çështjet kryesore për Bashkimin Evropian është reforma në sistemin e drejtësisë, PSP-ja, atëherë tashmë të përfundojmë se arsye se pse ndoshta nuk do të marrin datë, është fakti se BDI është brenda në koalicion me LSDM-së, dhe ky është faktori kryesor i cili pamundëson të ndodhin reforma në të vërtetë ë aspekt juridik këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke e pasur parasysh se zgjedhjet përfundimisht do ta kthenin demokracinë në shoqërinë shqiptare dhe BDI do të kalonte në opozitë, mendojnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta përshpejtonin procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE”, tha Sela.
Lideri i ASH-së, Ziadin Sela ka deklaruar se ai nuk do të përkrah Ligj për Prokurori Publike, nëse i njëjti do të presë për t’i mbrojtur “arushat e mëdha politike të shtetit”
“Unë do të përkrahja Ligj i cili është për të mirën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Unë do të përkrahja Ligj i cili nuk ka për qëllim të amnistojë ndokënd, por ka për qëllim që gradualisht të ndërtojë shtetin e së drejtës. Kjo na duhet shumë si shoqëri. Dhe Ligj i cili do t’i presë për t’i mbrojtur arushat e mëdha politike të shtetit, nuk do të përkrah”, tha Sela.