Zgjedhjet për Parlamentin Europian, votohet në 21 shtete

Shpërndaje

Votuesit europianë filluan sot votimet në 21 shtete të BE-së për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian, ku partitë euroskeptike pritet të arrijnë një tjetër rritje sipas sondazheve.

Gjashtë vende në lindje të kontinentit (Greqi, Hungari, Bullgari, Rumani, Lituani, Qipro) ishin të parët që hapën qendrat e votimit, në 04:00 GMT (06:00), të ndjekur nga Italia, Polonia apo Austria në 05:00 GMT (07:00). Ndërsa në Francë, Gjermani, Belgjikë, Suedi dhe vendet e tjera votimi filloi një orë më vonë. Spanja, Portugalia dhe Danimarka ishin të fundit në radhë që hapën qendrat e votimit, në 07:00 GMT (09:00).

Ky votim ka filluar në shtatë vende që prej të enjtes, mes të cilave edhe Britania e Madhe, që pati një organizim shumë të dobët pas shtyrjes së re të Brexit, me një afat përfundimtar të vendosur më 31 tetor. Mandati i të zgjedhurve britanikë do të ndërpritet pasi vendi të largohet nga BE-ja, dhe vendet e tyre do të hiqen ose do t’i shpërndahen shteteve të tjera.

Rreth 427 milionë europianë janë angazhuar të marrin pjesë në këtë votim, që synon të zgjedhë për pesë vite 751 anëtarë të Parlamentit Europian. Një asamble që ka pasur një rritje të pushtetit, por që zgjedhja e saj në përgjithësi ka shënuar një nivel pjesëmarrjeje të dobët (42,6% në 2014).

Rezultatet zyrtare në të gjitha vendet do të publikohen duke filluar nga ora 21:00 GMT (23:00), kur të përfundojë votimi në Itali, vendi i fundit që mbyll qendrat e votimit.

Megjithatë, vlerësimet që do të japin tendencat pritet të dalin në fund të mesditës në shumë vende. Parlamenti Europian parashikon të publikojë parashikimet e tij të para rreth orës 18:00 GMT (20:00).

Sondazhet e fundit lënë të mendohet se do të ketë një rritje të ndjeshme të ekstremit të djathtë, megjithatë të gjitha këto forca së bashku nuk mund të arrijnë një maxhorancë në Parlament, që analistët parashikojnë se do të arrijnë maksimumi pak më shumë se një të tretën e vendeve.