Presidenti thërret për bashkim të Kosovës me Shqipërinë

Shpërndaje

Hashim Thaçi e ka përvetësuar kauzën e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkim me Shqipërinë. Të shtunën, ai ka thënë se në një të ardhshme të afërt të dy shtetet do të jetojnë bashkë.

“Ju keni qenë bashkërisht me në luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri dhe bashkërisht do të jetojmë në një të ardhme të afërt, në një shtet të përbashkët Kosove dhe Shqipëri’, ka thënë Presidenti i Kosovës në një ceremoni të mbajtur në Has të Shqipërisë.

Pos bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Thaçi kishte folur edhe për bashkëngjitjen e Luginës me pjesën tjetër shqiptare.

““Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, ka shtuar ai.

Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e ka në program Lëvizja Vetëvendosje, e cila kohëve të fundit më shumë po angazhohet për të ruajtur kufijtë aktualë të Kosovës.

Sidoqoftë, krejt këto deklarata po bëhen në kohën kur Bashkimi Europian e ka bllokuar Kosovën si në rrugën europiane edhe në atë të liberalizimit të vizave.

Nuk dihet nëse Presidenti Thaçi po i bën këto deklarata për t’i bërë presion BE’së apo po shkon drejt pjesës së dytë të mandatit presidencial dhe po tenton të lë shenjë, të paktën me deklarata, se ishte për bashkim kombëtar.