Dr. Husein Rizai: Bujaria e familjes Destani nuk mungoi edhe në këtë Fitër Bajram
“Hapja çdokujt zemrën sa mund t’ia hapësh, le të të jetë si oqean! Tërhiqu me besim dhe për njeriun dashuri ndje, të mos mbetet zemër e dëshpëruar që s’u interesove për të e s’ia zgjate dorën!” (Thënie e urtë)
Në prag të Fitër Bajramit, humanizmi, solidariteti dhe bamirësia e veshur me petkun e përkushtimit qytetar nga ana e Kompanisë Ecolog pronësi e familjes Destani, dëshmoi edhe njëherë zëshëm përgjegjësinë e një fisniku që e ndjen ndaj të tjerëve, duke shpërnda ndihma familjeve të ndryshme në Tetovë dhe rrethinë. Identiteti i një personaliteti të tillë pasqyrohet përmes mendimeve, sjelljeve dhe veprave që i bënë gjatë jetës. Ky identitet varet nga baza trashëguese, nga ndikimi i shumë faktorëve te rrethit shoqëror, duke filluar nga familja, shkolla, institucionet e ndryshme shoqërore, mjetet e informimit, literatura dhe bashkëpunimi me grupe të ndryshme. Sa më shumë të kemi vlera njerëzore dhe të fisme, aq më shumë jemi të pranueshëm në mesin e tjerëve.
Marrëdhëniet financiare janë “provim i kushtit” të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Ata që s’e kalojnë këtë provim, llogariten sikur kanë rënë në provimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore po edhe nëse i kanë kaluar të gjitha provimet e tjera. Paraja është gur prove e fytyrës së vërtetë të njeriut.
Familja Destani në përgjithësi, e z. Lazim Destani në veçanti, këtë përgjegjësi në mënyrë shumë të sinqertë mundohet ta bëj pjesë të identitetit familjar, shoqëror e kulturor, duke rrezatuar dekada me radhë altruizmin për të përmirësuar jetën e qindra familjeve të këtij nënqielli me të cilën zotëroi cilësinë e zemërgjerësisë në plotësinë e saj.
Humaniteti i tyre shfaqet te çdo njeri i këtij nënqielli. Kjo Kompani në memorien e popullit rezulton si një personifikim i fisnikërisë dhe zemërgjerësisë. Ky aspekt i solidaritetit është shpalosur plotësisht në aktivitetet, gjegjësisht ndihmat që i kanë bërë gjithandej, e që për ne paraqesin modelin e përkryer të një familjeje dhe kompanie bujare me të cilën krenohemi.
Bamirësia e Kompanisë Ecolog nuk është vetëm ndihma dhe shpërndarja financiare që ata bëjnë, por ajo shfaqet edhe në forma të ndryshme si: buzëqeshja, fjala e mirë, sjellja modeste, optimizmi, mikpritja, kreativiteti, energjia pozitive, besueshmëria (duke ndërmjetësuar për dikë që t`i plotësohet nevoja apo dëshira, duke ndihmuar të pafuqishmin që të kalojë rrugën, duke ledhatuar kokën e jetimit), etj.
Bujaria e familjes Destani është vlerë tradicionale e brumosur me ndjenja fetare dhe kombëtare, që ka dëshmuar dhe akoma vazhdon ta dëshmoj në të gjitha sferat, posaçërisht duke bashkëpunuar edhe me institucionet relevante që ndihmojnë në lehtësimin dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ajo çdo herë ka përkrahur dhe ka konsultuar Institucionin fetar gjegjësisht Myftininë e Tetovës dhe në kuadër të bashkëpunimit me të gjithë hoxhallarët dhe këshillat e xhamive të Tetovës janë shpërndarë mjete tek familjet nevojtare.
Të dhurosh diçka nga vetja në emër të dashurisë dhe dhembshurisë për tjetrin, nxitur nga besimi që bart brenda vetes, sigurisht që është një veprim i një njeriu të lartë fisnik e që fisnikëron të tjerët dhe që zëshëm ju flet nevojtarëve se nuk janë vetë, duke ua kthyer buzëqeshjen në fytyrat e tyre.
Shpreh një falënderim dhe lutje të sinqertë publike për bujarinë dhe humanizmin, kontributin dhe ndihmat e pakontestueshme në përgjithësi, posaçërisht këto të Fitër Bajramit në veçanti, si virtyte të shenjta të kësaj familjeje. Zoti e bekoftë familjen Destani!