Rajoni

Ilir Meta, ky Ivanov shqiptar

Shpërndaje

Nga Ardit Rada

Republikë Presidenciale apo Republikë Parlamentare?

Kjo është dilema në të cilën përplaset sot Shqipëria, kur kryetari i shtetit Ilir Meta ka marrë përsipër të kthejë mbrapsht rrotën e zgjedhjeve lokale, duke dekretuar anullimin e datës së mbajtjes së tyre.

Duke shpërfillur Kushtetutën, ligjin zgjedhor, afatet e skadimit të mandateve të të zgjedhurve bashkiakë dhe precedentët e ngjashëm në të shkuarën, Ilir Meta është bërë zëdhënësi zyrtar i opozitës shqiptare.

Muaj më parë, në dhjetor, kur Rama tentonte të ndryshonte qeverinë e tij të anatemuar nga protestat studentore, Presidenti u fut sërish në një rol të dyshimtë bllokuesi të dekretimit dhe çdekretimit të ministrave, duke marrë përsipër të përfitojë nga mungesa e një Gjykate Kushtetuese. Sot po bën të njëjtën gjë, duke e kthyer vakumin e Kushtetueses në një rrethanë të favorshme për interesat e tij dhe ato të Lulzim Bashës e bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Ka një precedent në vendet fqinje me Shqipërinë, ku kreu i shtetit ka vepruar si Meta sot. Presidenti i Maqedonisë Ivanov, refuzoi në 2017 të dekretonte qeverinë Zaev megjithëse Maqedonia ndodhej në një krizë të thellë politike dhe përballë një përplasjeje të fortë sociale. Një vit më pas presidenti maqedon hodhi poshtë ligjin e dygjuhësisë dhe kundërshtoi nënshkrimin e tij. Por nuk mbaron këtu. Betejën më të madhe Ivanov e zhvilloi kundër emrit të ri të shtetit maqedon, duke dalë kundër formulës “Maqedonia e Veriut”, të cilën e quajti projekt kriminal.

Është e tepërt të kujtohet se Gjorgje Ivanov i humbi të gjitha këto sfida ndaj kundërshtarëve politikë dhe partnerëve ndërkombëtarë. I humbi megjithëse ishte i zgjedhur nga populli, pra me tagër institucional dhe kompetenca më të mëdha se një president shqiptar. Në një moment të caktuar, Maqedonia e spostoi pushtetin dhe vendimmarrjen në institucionin më të rëndësishëm të saj, parlamentin dhe e tejkaloi bllokimin e Presidentit.

E njëjta gjë duket se po ndodh edhe në Shqipëri, ku Ilir Meta po kërkon të luajë shumë përtej gardhit të tij institucional. Dhe e bën këtë vetëm për një rrethanë rastësore: mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Tentativa e tij për të bllokuar ndryshimet në qeveri dhe sot me anullimin e datës së zgjedhjeve lokale, e vendos kreun e shtetit shqiptar në një pozitë që nuk përkon kurrsesi me rolin, peshën dhe përmasat e zyrës që drejton. Ilir Meta është zgjedhur me shumicën e thjeshtë të votave të Kuvendit, ai është një president i dalë nga parlamenti. Për pasojë edhe kompetencat e tij janë dukshëm më të vogal sesa sfidat që ka marrë përsipër kohët e fundit. Pengimi nga ana e Metës i zgjedhjeve, e bën atë të duket si një pengesë artificiale dhe tejmase e fryrë, nëse merren në konsideratë ato që janë kompetencat e tij në letër.

Ilir Meta po kërkon të bëhet si Ivanovi, një tjetër humbës. Por të paktën ai ishte votuar nga njerëzit, jo nga partia të cilën sot kërkon ta sabotojë.