Rajoni

​​Mbyllen qendrat e votimeve në Shqipëri

Shpërndaje

Ka përfunduar afati për qytetarët e Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar kryetarët e bashkive. Sipas KQZ-së deri në orën 15:00 kanë votuar 15.5 për qind, ndërkohë komisioni pritet pas pak të dalë me rezultatet e ardhshme. Që nga ora 7 e mëngjesit, në Shqipëri kanë qenë të hapura qendrat e votimit për zgjedhjen e 61 kryetarëve të bashkive. E veçanta e lokaleve 2019 është se u zhvilluan pa opozitën e madhe, e cila procesin e sotëm e kundërshtoi edhe me protesta. Zgjedhjet lokale u monitoruan nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri. Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor. Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës. Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi hodhi votën e tij tha Se dita e sotme konfirmon që me popullin nuk luhet dhe se kush tenton të ia marrë sovranitetin popullit, fundin e ka me dështim./KosovaPress/