Maqedoni

“Target-Fortesa”, tensione në sallën e gjyqit mes Mijallkovit dhe dëshmitarit

Shpërndaje

Gjykimi për përgjimet e paligjshme prej një dekade ka sjellë nervozizëm në sallën e gjyqit. Në seancën gjyqësorë për “Target-Fortresa” në momente gjendja ishte e tensionuar. I pandehuri Sasho Mijalkov, ish-drejtor i DSK-së dhe një nga figurat më të fuqishme gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE, mori në pyetje një nga dëshmitarët e propozuar nga PSP-ja Sasho Trajkovskin. Mijalkov bënte pyetje, por nuk ishte i kënaqur me përgjigjet e dëshmitarit. Disa nga pyetjet nuk u lejuan nga gjykata, por gjykatësit, Xhaneta Bektoviq dhe Vladimir Tufegxhiq, megjithatë i dhanë një shans të dytë dhe e ndihmuan Mijalkovin të riformulojë pyetjet.

Cila është logjika të përgjoj vetveten- tha Sasho Mijalkov.

Edhe pse Mijalkovi pyeti, gjykata nuk i lejoi dëshmitarit të përgjigjej. Ai u tha gjykatësve se është mirë për publikun të dëgjojë nëse ekziston logjika e përgjimit të vetvetes, por edhe e atyre më të afërmve. Ai ishte nervoz dhe e pyeti gjykatën nëse mund të mbrohet:

Thoni, nëse jo, të mos mbrohem, merrni vendim dhe mbaroi- reagoi Mijalkovi .

Mijalkovi ishte i interesuar përse dëshmitari personalisht nuk i raportoi se po bëhen përgjime të paligjshme në DSK dhe a e ka ditur që Zvonko Kostovski, i cili zbuloi skandalin, nxirrte nga policia sekrete biseda të regjistruara. Trajkovski u përgjigj:

Kam mundur, por nuk kam parë që nxirreshin biseda nga DSK-ja- tha Zoran Trajkovski, dëshmitar I PSP-së.

Në “Target-Fortresa”, janë të akuzuar Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, ish-agjentët sekretë Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët janë arratisur në Greqi si dhe tetë persona të tjerë. Sipas PSP-së, nga viti 2008 deri në maj të vitit 2015, në mënyrë të paligjshme janë ndjekur më shumë se pesë mijë numra dhe mbi 20 mijë qytetarë janë përgjuar pa urdhër të gjykatës./alsat/