Veseli në Kongresin Amerikan bën thirrje për njohje të reja të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili bashkë me kryetaren e Alternativës Mimoza Kusari-Lula e shefin e GP të LDK-së, Avdullah Hoti, po marrin pjesë në forumin e liderëve parlamentarë të organizuar nga Kongresi Amerikan, në Washington, ka bërë thirrje për njohje nga vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, thuhet se në hapje të këtij forumi ku po marrin pjesë krerë parlamentesh të shumë vendeve por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Veseli ka përcjell një mesazh nëpërmjet të cilit u ka kërkuar atyre që ta njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës
“Kosova është shtet i ri dhe po ec përpara. Kërkoj nga ju që ta njihni shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. I shërben edhe miqësisë dhe zhvillimit të lidhjeve tona në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit”, tha Veseli.