S’ka kafe për shqiptarët në Prilep! (Video)
Është e vështirë të jesh shqiptar në Prilep. Për t`u shkolluar duhet të udhëtosh me kilometra, bukën e fitojnë duke u zgjuar në 2 të mëngjesit për të shkuar tek arat, e mundi në fund nuk iu paguhet sa duhet.
E sikur këto vështirësi mos të jenë të mjaftueshme, ata diskriminohen edhe kur duan të paguajnë në objekt privat për të pirë kafe.
Kështu ndodhi me Ilirin dhe shokët e tij disa ditë më parë, në një kafene të Prilepit.
Edhe pse lokali ishte i zbrazur, atyre pronari u tha se gjithçka është e rezervuar.
ILIR NEZIRI – BANOR I CËRNILISHTËS
Deshëm të pimë kafe me kolegët, se kishim pak kohë të lirë… Sa u afruam tek lokali, ai punonjësi na tha se tavolinat janë të rezervuara. Pasi që e pamë se më shumë se gjysma e tavolinave ishin të lira, insistuam që të ulemi.
E pyetëm për mënyrën se si rezervohet, na tha se nëpërmjet internetit duhet të bëhet rezervimi.
E thirrën sigurimin, na thanë se duhet ta lëshojnë lokalin.
I bëmë pyetje atij që punonte si sigurim, i thamë; A pse jemi shqiptarë nuk ka vend për ne? Ai këtë nuk e mohoi, indirekt e pranoi shkaku se na tha se neve si na urdhërojnë ashtu edhe punojmë.
Rastin ishte paraqitur në polici, por policia u kishte thënë që nuk ka bazë për kallëzim penal sepse nuk ka prova. Iliri kërkoi ndihmë nga Klan, që të dëshmojë se sjellja e pronarëve të lokalit ka qenë diskriminuese. Shkuam tek i njëjti lokal. Fillimisht hyri kameramani ynë, i cili foli vetëm në gjuhen maqedonase, e më pas erdhën edhe dy djem tjerë të Cërnilishtës, shokë të Ilirit… Video në vazhdim e konfirmon se jo gjithkush është i mirëseardhur në këtë lokal, e posaçërisht nuk janë të mirëseardhur shqiptarët.
….Mos më bëni turma tek dera, ka njerëz që duan të futen, nëse dëshironi dilni jashtë.
Jo është e rezervuar,
Si është e rezervuar?
Dëshironi që të argumentojmë?
Por përse..
Sepse është e rezervuar
Prit pak e sheh se po më bëni turma në rrugë, njerëzit duan të dalin këta, largohuni!
Por në të njëjtin lokal, në të njëjtat tavolina, kameramani i Klan u ul pa problem.
Iliri shpreson se kjo do të jetë provë e mjaftueshme që policia dhe prokuroria të reagojë.
ILIR NEZIRI
Duhet të reagojmë për shkak se ky nuk është rasti i vetëm.
Rasti jo që nuk është i vetëm, por para disa muajve i ka ndodhur edhe personit me të cilin duhej të mburret i gjithë Prilepi, lojtarit të Leeds United dhe i përfaqësuese së Maqedonisë, Xhani Alijoskit. /KlanMacedonia
Ndiqeni videon në linkun më poshtë: