“Spastrimet” në Qeveri, Osmani i përgjigjet Zaevit: Për funksionarët shqiptarë vendos Ahmeti

Shpërndaje

Pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale do të ketë pastrime dhe rikonstruim të plotë të kabinetit qeveritar.

Kështu paralajmëroi kryeministri, Zoran Zaev, i cili ripërsëriti se votuesit gjatë të dielës treguan se janë të dëshpëruar nga disa funksionarë aktualë të kësaj përbërje.

“Mesazhi i dhënë nga qytetarët në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale është marrë dhe padyshim që do të reagojmë, por fillimisht t’i japim shans shtetit. Qytetarët abstenuan duke qëndruar në shtëpitë e tyre, dërguan mesazhe për pakënaqësi ndaj pushtetit, ndërsa nëse do të ishin tërhequr nga ne, do t’i jepnin mbështetje Siljanovskës. Edhe Mickoski është deligjitimuar pasi edhe VMRO-DPMNE ka rënie të votave”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

I pyetur nëse do të ketë pastrime edhe të funksionarëve të BDI-së, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se partia e tij gjatë këtij mandati ka arritur të realizojë të gjitha premtimet parazgjedhore, por në fund thotë se për këtë çështje vendos kryetari i partisë.

“Kryesisht në këtë mandat BDI ka realizuar pothuajse të gjitha premtimet parazgjedhore dhe në mes mandatit ka shterë programin zgjedhor, por natyrisht se kjo është e drejtë e kryetarit Ahmeti i cili mund të vlerësojë punën individuale të secilit”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Nga opozita rezultatet zgjedhore i quajtën dështim të pushtetit, andaj edhe kërkuan që përgjegjësinë për humbje duhet të ketë vetë kryeministri Zaev duke dhënë dorëheqje.