Kurti pasi kandidohet për kryeministër: Ndryshimi do të ndodhë
Këshillimi i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka kandiduar zyrtarisht për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin.
Ai pas kandidimit tha se më 14 shkurt do të ndodhë ndryshimi.
“Më 14 shkurt do të ju dërgojmë mesazh cinikëve që qytetarët e bashkuar bëjnë gjithçka të mundur. Ata kanë vendosur që LVV t’i fitojë këto zgjedhje. Ndryshimi do të ndodhë. Shteti do të hapë rrugën përpara për infrastrukturë, shkencë dhe teknologji”.
“Shteti është bashkësia jonë e organizuar ku i kemi përgjegjësitë individuale dhe reciproke. Mërgata jonë do të marrë rolin që meriton në shoqërinë tonë, duke ua lehtësuar mundësinë e votimit dhe investimeve”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.
Në fjalën e tij ai ka thënë se kur të vjen në Qeveri me Serbinë do të zbatohet masa e reciprocitetit.
“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet. Gjithçka do të nisë me gjetjen e personave të zhdukur. Aleanca me SHBA do të forcohet. Interesat tona janë të përbashkëta në forcimin e demokracisë. Partneriteti me AHBA dhe anëtarësimi në NATO mbesin prioritete parësore”.
“Anëtarësimi në BE është proces i pandalshëm. Një Kosovë ku sundon ligji me sistem të pavarur të drejtësisë e duan të gjithë. Kjo është e ardhmja që na pret. Kur ka mbetur edhe një muaj drejt ndryshimit të madh secili nga ne duhet të punojë për ta realizuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”.