Maqedoni

Nesër fillon gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme

Shpërndaje

Shkollat fillore kanë bërë përgatitjet e fundit për nisjen e gjysmëvjetorit të dytë. Ministria e Arsimit ka njoftuar shkollat se procesi mësimor do të vijojë me respektimin e protokolleve. Në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup, me prezencë fizike do të rikthehen 470 nxënës, nga gjithsej 1100. Drejtoresha Luljeta Qerimi tha se me Komunën kanë rënë darkord për pagesën shtesë të mësimdhënësve të cilët kanë punuar me orar të dyfishuar.

Mësueset punojnë me orar shumë të gjatë, punojnë prej në ora 7 e 30 e deri në ora 15. Kemi shqyrtuar këtë gjë që të mundet ta gjejmë mënyrën se si do të mundet këtyre arsimtarëve tu paguhet mundi i dyfishtë i tyre. Ne jemi në bisedime e sipër që të mundemi të gjejmë zgjidhje sa më shpejtë ta kompensojmë mundin e tyre që e kanë bërë gjatë kësaj periudhe. Çdo gjë që do të bëhet është mos të dëmtohen arsimtarët -deklaroi Luljeta Qerimi, drejtore e Sh.F “Hasan Prishtina”, Shkup.

Në shkollën fillore “Murat LLabunishti” të Strugës mësojnë 1100 nxënës, prej tyre 360 do të rikthehen me prezencë fizike. Siç tha drejtori Valon Mamudi, kësaj here mësuesit do të realizojnë nga shkolla mësimin nga distanca.

Pasi u rregullua edhe çështja e ngrohjes qendrore në shkollë, mendojmë që nga starti do të fillojmë dhe do të vazhdojmë deri në fund të vitit shkollor ku arsimtarët do të vijnë në shkollë dhe nga shkolla do të mbajnë mësim sepse gjatë kësaj periudhe kemi siguruar edhe kompjuter më shumë se sa që kishim, laptop të ndryshëm, Shpresoj që më lehtë do ta ketë arsimtari të vij në shkollë dhe të mbaj mësim sesa nga shtëpia – tha Valon Mamudi, Drejtor i Sh.F “Murat Llabunishti”, Strugë.

Por mësimin nesër nuk do ta nisin maturantët, të cilët paralajmëruan bojkotimin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë. Sipas UNSHM-së, vendimi për bojkot ka ardhur pasi Ministria e Arsimit dhe Qendra Shtetërore e Provimeve nuk kanë bashkëpunuar lidhur me modifikimin e materialit mësimor për testin e maturës shtetërore. UNSHM-ja kërkon që Ministria e Arsimi të zvogëlojë numrin e lëndëve në maturën shtetërore. Nga katër lëndë, maturantët propozojmë të kenë vetëm dy lëndë për provim të maturës. Gjithashtu, UNSHM-ja kërkon që materiali i modifikuar për maturën shtetërore të prezantohet deri në muajin mars./alsat/