Maqedoni

“Mjaft me zgjedhje të parakohshme”, Zaev i përgjigjet Mickoskit: Zgjedhjet do mbahen në 2024

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev është i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, me çka e refuzoi kërkesën e shefit të opozitës, Hristijan Mickoski që së bashku me zgjedhjet lokale në vjeshtë të mbahen edhe ato parlamentaret. Zaev tha se duhet të ndalet praktika e këtillë për shkak se ajo ndikon në ekonominë e përgjithshme në vend.

“Duhet të ndalemi me zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme i bllokojnë kapacitetet e prodhimtarisë dhe ekonominë e përgjithshme në Maqedoni. Shteti ka drejtim të qartë të lëvizjes, evropeizmi po vazhdon. Çdo dalje në zgjedhje të parakohshme i frenon proceset e këtilla. Andaj zgjedhjet e rregullta do të mbahen në 2024 dhe duhet t’i përmbahemi kësaj gjëje”, tha Zaev.

Ditëve të fundit, shefi i opozitës Hristijan Mickoski disa herë theksoi se për shkak të politikave të këqija të pushtetit, nevojitet që sa me shpejtë që është e mundur të mbahen zgjedhje parlamentare dhe se Zaevi nuk e ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Këtë qëndrim nga VMRO-DPMNE e përsëritën edhe sot.

Periudhë katër vjeçare me regjim më të korruptuar dhe më kriminel, në krye me Zoran Zaev, është periudhë tepër e gjatë për një katastrofë të tillë për Maqedoni. Zoran Zaev nuk e ka shumicën parlamentare, atë e tregoi edhe votimi i interpelancës për Nikolla Dimitrov”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Udhëheqësia më e lartë e VMRO-DPMNE-së në krye me Mickoskin në periudhën e fundit pohon se opozita negocion me deputetë të partive në pushtet dhe se së shpejti mund të ketë shumicë të re parlamentare./TV21