Rajoni

Rama të hënën në Bruksel/ Në agjendë janë integrimi, fondet për tërmetin dhe vaksina

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama të hënën do të zhvillojë disa takime në Bruksel.

Burime nga qeveria i thanë Top Channel se kryeministri i shoqëruar edhe nga ministria e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka fillimisht do të takohen me Josep Borrel, ministër i BE për Punët e Jashtme.

Në agjendë parashikohet edhe një takim me Ursula Von der Leyen presidente e Komisionit Europian. Ecuria e progresit të Shqipërisë për integrimin në BE, sikurse ecuria e përdorimit të fondeve të BE për rindërtim pas tërmetit janë dy prej çështjeve në diskutim.

Kjo vizitë e kryeministrit ne Bruksel vjen pas disa qëndrimeve kritike nga Rama në adresë të BE për mënyrën e padrejtë të shpërndarjes së vaksinës anti covid nga BE dhe lënien në harresë të Ballkanit Perëndimor. Disa ditë më parë kryeministri paralajmëroi një vizitë në vendin mik të BE i cili në dy raste ka dhuruar një sasi vaksinash për vendin tonë duke mos ia treguar emrin.

Por a është Belgjika vendi mik i dhurimit të vaksinave? Këtë pritet ta konfirmojë kryeministri. Nëse nuk është Brukseli me gjasë pas vizitës në BE, kryeministri Rama mund të udhëtojë drejt vendit mik./Top Channel