RajoniTop Lajme

Çka i tha në takim Kurti-Lajçakut për dialogun?

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sot një komunikatë për takimin e mbrëmshëm të liderit të këtij subjekti, Albin Kurtit me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajcak.

Në këtë komunikatë shkruhet se Lajcak dhe Kurti kanë diskutuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti, priti mbrëmë në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák në kuadër të vizitës disa ditore të këtij të fundit në Republikën e Kosovës.

Kryetari Kurti pranoi urimet e z. Lajčák për rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, teksa e falenderoi atë për vizitën në Kosovë. Në fillim të takimit ata folën për zgjedhjet e fundit, mbarëvajtjen e tyre dhe çka nënkuptojnë ato për vendin dhe qytetarët, si dhe për domodoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Kryeministri në ardhje Kurti e njoftoi z. Lajčák për prioritet e Qeverisë së tij e të cilat burojnë nga nevojat sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, z. Kurti tha se ai është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet. Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. Duhet të jetë transformues duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dy palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë.

Në fund, të dy u dakorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin pas formimit të qeverisë së re.