Maqedoni

Taravari: BDl mund ta humb Kërçovën, Gostivarin e fitoj në raundin e parë (Video)

Shpërndaje

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, është i bindur se do të fitojë që në raundin e parë nëse kandidohet sërish në zgjedhjet lokale të tetorit për mandatin e dytë. Në një intervistë për gazetën LAJM, Taravari bëri të ditur se, në tre komunat që udhëhiqen nga kuadro të ASH-së, raporti në vota me BDl-në është dy me një.

Sa i përket komunave tjera, Taravari tha se në bazë të anketave partiake, është rritur mbështetja qytetare për koalicionin opozitar ASH-AAA. Madje, sipas tij, në këto zgjedhje lokale BDl-ja do ta ketë problem ta fitojë edhe Kërçovën, që njihet si bastioni më i fuqishëm i partisë së Ali Ahmetit.

“Dëshira e “Aleancës” dhe “Alternativës” është që në shumicën e komunave shqiptare të fitojmë, për çka jemi shumë të bindur. Mendoj se BDl-ja në këto zgjedhje do të ketë probleme edhe në Kërçovë.

Do të ketë probleme serioze për ta fituar komunën e Kërçovës. Në bazë të anketave që i kemi po flas për komunat që i drejton “Aleanca”, si Gostivarin, Vrapçishtin dhe Bogovinën, raporti është gati 2 me 1. Para 5 apo 6 muajsh u matëm në Gostivar dhe diferenca ishte 11000 me 7000 vota, d.m.th “Aleanca” me “Alternativën” është 4000 vota diferencë kundrejt BDl-së.

Por, në rajonin e Pollogut në 2 muajt e fundit kemi shumë kalime nga BDl-ja në partinë tonë. Por, le t’ia lëmë zgjedhjeve, vijnë votimet dhe e shohim si dalin rezultatet. Për kandidimin tim përsëri në krye të Komunës së Gostivarit, personalisht mendoj se 1 mandat është mjaftë për një kryetar komune për të treguar çfarë mund të bëjë.

Nëse do të kemi shumicë të re apo ndryshime në qeveri, mendoj se s’ka nevojë të kandidohem. Duhet t’i lëmë shansë gjeneratave më të reja, por nëse mbetemi në këtë situatë si jemi, mund të dal përsëri, por do ta quaj mossukses nëse nuk e fitoj që në raundin e parë kundërshtarin e BDl-së.

LAJM: A keni marrëveshje me “Alternativen” për zgjedhjet lokale dhe si do t’i ndani kandidaturat për kryetar komunash dhe keshilltarë?

Taravari: Marrëveshje me “Alternativën” kemi për funksionim në katër vitet e ardhshme, kjo është marrëveshje e nënshkruar nga dy kryetarët e partive. Mendoj se do të dalim bashkë në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Kemi funksionim shumë të mirë. Ka kohë që themi se duhet të ulemi dhe të koordinohemi cilët kandidatë do të ishin më të merit për t’i fituar komunat e caktuara. Ne kemi filluar procesin e anketimit në shumicën e komunave.

I kemi vendosur disa emra, pavarësisht a janë në “Alternativë” apo “Aleancë” apo disa të pavarur që nuk janë në asnjë parti, por që mund të jenë kandidat potenciale për të qenë kryetar të ardhshëm të komunave ku shqiptarët mund të fitojnë. Pra, akoma nuk jemi ulur që t’i definojmë cili kandidat ku do të jetë, por së shpejti mendoj se merremi vesh. Kur ke qendrime të ngjashme me një tjetër parti politike, unë mendoj se për 1 ose 2 ditë i zgjedhim njerëzit më të mirë për t’i kandiduar për kryetar të ardhshëm të komunave.

LAJM: A është i mundur koalicionimi me partitë maqedonase para zgjedhjeve lokale?

Taravari: Nuk e kemi menduar, por politika është sikur loja e shahut, çdo herë pozita është ajo që e luan hapin e parë dhe ne duhet ta ndjekim. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishim të hendikepuar sepse e dini që BDl-ja dhe LSDM-ja dolën së bashku prej raundit të parë të zgjedhjeve lokale, kurse opozita e përçarë.

Natyrisht që kur blloku i pushtetit del i bashkuar dhe opozita e fragmentuar shanset për të fituar janë shumë më të vogla. Tash jemi shumë më të arsyeshëm dhe ka më shumë gjasa për bashkëpunim. Por çdo vendim e sjellin organet partiake. Nëse anketimet na tregojnë se është e arsyeshme dhe ka nevojë dhe nëse kjo miratohet nga organet partiake ne do të bëjmë bashkëpunime me të vetmin qëllim që në shumicën e komunave shqiptare të fitojmë./Gazeta LAJM