SHGM dhe KEMM: Kërkohet përgjegjësi më e madhe nga mediat kur publikojnë përmbajtje satirike
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) reagojnë ndaj publikimit të deklaratave të trilluara lidhur me kryetarin e Komunës së Strugës Ramiz Merko, duke vlerësuar se në këtë mënyrë publiku mund të mashtrohet dhe të përhapen dezinformata.
Megjithëse bëhet fjalë për përmbajtje satirike, mediat që njihen nga publiku si media profesionale nuk duhet të injorojnë faktin se përmbajtjet e tilla mund të pranohen lehtësisht nga publiku i gjerë si të vërteta, posaçërisht nëse temat janë në kontekstin e zhvillimeve aktuale politike.
Bëhet fjalë për lajmin që u publikua në disa media në të cilin thuhet se kryetari i Komunës së Strugës Merko “hante shpesh edhe me forcë vetëm për të ndihmuar restorantët, dhe për këtë gjë është paguar me para të komunës”, ndërsa në fund të tekstit është cekur: “Lexoni lajmin e plotë satirik në portalin “Kooperacija”.
U sugjerojmë mediave kur përdorin publikime të tilla që kanë përmbajtje satirike, së paku që mund të bëjnë redaktorët është në fillim të tekstit, në mënyrë të qartë, të theksojnë që bëhet fjalë për përmbajtje e trilluar. Në të njëjtën kohë, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësinë për të dezinformuar qytetarët, veçanërisht duke pasur parasysh që lexuesit shpesh herë lexojnë vetëm titullin dhe shpejtë kalojnë përmbajtjen e lajmit.
Në kushte kur përhapja e dezinformatave paraqet një problem serioz, përdorimi i papërshtatshëm dhe i papërgjegjshëm i përmbajtjes satirike, e cila tërheq shumë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, mund të interpretohet nga publiku si një përpjekje tendencioze për të keqpërdorur mediat, duke dëmtuar reputacionin jo vetëm të një individi të caktuar, por edhe proceseve shoqërore.