Basha uron Kurtin: Do të qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës.
Basha, përmes një postimi në Facebook, ka uruar që Qeveria e drejtuar nga Kurti të përmbush me sukses të përgjegjësive dhe tejkalimin e sfidave me të cilat përballet Kosova.“Suksesi i Kosovës është suksesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo që ndodhen”, ka thënë Basha.
“Urimet më të mira shkojnë sot dhe për deputetët e kuvendit të ri të Kosovës. Jam i bindur se forcat politike në Kosovë do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për tejkalimin e pengesave, duke vënë mbi gjithçka interesin më të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.“Si gjithnjë në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen, unë dhe Partia Demokratike do të qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të Kosovës dhe të qeverisë së saj me besimin e plotë se pas 25 prillit, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtësisht për të përballuar së bashku çdo sfidë”, ka shkruar lideri i PD-së.