BotaTop Lajme

Kanali i Suezit, i paqartë zhbllokimi, përdoren dallgët për të zhvendosur anijen 400m të gjatë

Shpërndaje

Autoritetet egjiptiane thonë se Kanali i Suezit mund të zhbllokohet brenda 24 orëve në rastin më të mirë, ose brenda disa javëve nëse dështojnë përpjekjet aktuale për zhvendosjen e anijes gjigante që po pengon qarkullimin në të.

Ndërsa vijojnë përpjekjet për lëvizjen e anijes që ka bllokuar Kanalin e Suezit, nuk ka ende një afat të qartë se kur mund të realizohet.

Drejtuesi i Autoritetit që menaxhon Kanalin deklaroi se për bllokimin e njërës nga nyjat kyç të transportit global nuk përjashtohet si shkaktar edhe faktorët njerëzorë.

Osama Rabie: Aksidentet e mëdha ndodhin gjithmonë për arsye dhe gabime që ndërthuren me njëra-tjetrën. Arsyeja e qartë është se ka pasur erëra të forta dhe stuhi rëre, por mund të ketë pasur edhe gabime teknike ose njerëzore, që pritet t’i zbulojnë hetimet.

Disa rimorkiatorë po punojnë për zhvendosjen e anijes “Ever Given” që prej së martës.

Operacionet për shtyrjen dhe gërmimin e cekëtinës ku ka ngecur mjeti u shtuan gjatë fundjavës, duke përfituar edhe nga dallgët e ditës, por përpjekjet u ndërprenë në darkë.

Një tjetër opsion mbetet zbrazja e anijes nga mijëra kontejnerët që ka përsipër, por kjo do të kërkonte një vinç me krahë mbi 60 m.

Osama Rabie: Situata është vërtet komplekse. Kemi një anije 400 m të gjatë, që ka devijuar nga kursi i vet në një kanal vetëm 250 m të gjerë. Po flasim për një mjet rreth 223 mijë tonë të rëndë, me 118,300 kontejnerë me vete, 59 m të gjerë dhe të zhytur 15,5 m nën ujë.

Autoritetet egjiptiane thonë se disa vende kanë ofruar ndihmë për zhbllokimin e anijes.

Pengesa në Kanalin e Suezit po rëndon përditë situatën edhe tregtinë globale, pasi në kanal qarkullojnë gati 10 për qind e gjithë mallrave të botës nga Azia në Perëndim, që përndryshe do të duhej të transportoheshin nëpërmjet rrugës më të gjatë, rreth e qark Afrikës.