Zaev dhe Rama nënshkruan marrëveshje për “One Stop Shop”, për lehtësimin e kalimit kufitar dhe doganës
Në Tiranë u nënshkruar Marrëveshja për kufirin dhe kontrollet doganore të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar dy kryeministrat se “One Stop Shop” do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve.
“Sapo kemi firmosur së bashku me kryeministrin Zaev një Marrëveshje tjetër në kuadrin e një procesi të nxitur bashkërisht, të lehtësimit deri në fund të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, dhe kjo marrëveshje specifikisht është për pikat e përbashkëta të kalimit të kufirit”, deklaroi Rama.
Zaev vlerësoi që kjo marrëveshje e begaton miqësinë ndërmjet dy vendeve, duke e rritur edhe shkëmbimin tregtar ndërmjet dy vendeve.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së sotme, kemi kryer një process serioz në të cilin kanë vepruar qeveritë tona që të hapim One Stop Shop”, deklaroi Zaev, duke theksuar që qytetarët tanë do të shkurtojnë pritjet e tyre.
Në muajin e kaluar, Drejtori i Doganave në Maqedoninë e Veriut, Goran Sugareski sqaroi që po punohet në përfundimin e projektit “One Stop Shop”, që përfshin kontrolle të përbashkëta kufitare dhe doganore ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në vazhdim është realizim i projektit në vlerë prej 100 mijë dollar amerikan. Ky bashkëpunim me Drejtorinë e Doganës në Republikën e Shqipërisë përfshinë blerjen e pajisjeve për kontroll për të dy palët në kalimin kufitar. Projekti pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2021”, paralajmëroi Sugareski.
Ndryshe, pika e përbashkët doganore Maqedoni – Shqipëri, e tipit “One Stop Shop”, është një nga premtimet që diskutohet vetëm në tryezat e zyrtarëve të të dyja vendeve, por, ndër vite nuk ka asnjë aksion konkret në terren. Pika e përbashkët doganore përveç se do i përforcojë marrëdhëniet bilaterale mes shteteve fqinje, do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë, lehtësimin e procedurave doganore, lehtësimin e lëvizshmërisë së qytetarëve të të dyja vendeve, dhe shumë të tjera.