Rajoni

Kuvendi e shkarkoi – Ja gjyqtarët e Kushtetueses që kanë në dorë fatin e Metës

Shpërndaje

Deri ditën e hënë, Parlamenti duhet të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Ky është rasti i parë në 3 dekada që gjyqtarët kushtetues do të vendosin për fatin e kryetarit të shtetit, pasi pavarësisht përplasjeve të çdo mazhorance me presidentët, asnjë shumicë nuk ka pasur 94 vota e ideja e shkarkimit nuk ka kaluar asnjëherë kufirin e deklaratave politike.

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e saj kanë 3 muaj kohë për të vendosur nëse shkarkimi i Ilir Metës kalon apo jo për t’u shqyrtuar në seancë plenare.

Dhe nëse këtë afat e shohim nga këndvështrimi që muaji gusht është pushim dhe nuk përllogaritet atëherë gjyqtarët kanë kohë deri në 14 tetor për të vendosur kalimin ose jo të çështjes “Meta” në seancë plenare.

Përgjatë kësaj periudhe Presidenti dhe Kuvendi përgatiten për të mbrojtur pozicionet e tyre para gjyqtarëve, por nga ana tjetër vetë Gjykata Kushtetuese pritet të pësojë ndryshime deri në vjeshtë.

Aktualisht, Kushtetuesja ka 7 anëtarë; 3 të zgjedhur nga presidenti, 3 nga kuvendi, dhe Vitore Tushën së cilës i ka mbaruar mandati. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që kanë në dorë fatin e Metës janë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.

Por deri në shtator pritet që Gjykata e Lartë të ketë 10 anëtarë e të mund të zgjedhë 3 gjyqtarë në Kushtetuese, duke e kompletuar kështu institucionin më të lartë gjyqësor në vend me 9 anëtarë.

Nëse kjo ndodh atëherë çështja e shkarkimit të Presidentit të Republikës do të gjykohet nga një trupë me 9 gjyqtarë.

Sipas ligjit për gjykatën Kushtetuese vendimet merren me 5 vota e mbetet për t’u parë nëse parlamenti do të bindë gjyqtarët nëse presidenti ka shkelur apo jo rëndë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Vitore Tusha

Elsa Toska

Marsida Xhaferllari

Fiona Papajorgji

Altin Binaj

Përparim Kalo

Sonila Bejtja