Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse që s’e kanë njohur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë pjesëmarrëse e samitit vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ku para përfaqësuesve të vendeve anëtare të forumit, ka folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, duke e falënderuar Turqinë për organizimin e samitit të sivjetmë, presidentja Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, me të gjitha sfidat e jashtëzakonshme nga COVID-19.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Osmani theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.
“Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.
Ajo u bëri edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotësi sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit.
“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, nënvizoi presidentja.
Në fund, komunikata bën të ditur se presidentja ka thënë që BE-ja duhet t’ia njohë përkushtimin institucioneve të Kosovës dhe ta “mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”.