MaqedoniTop Lajme

Grafa etnike në letërnjoftime, në harresë!

Shpërndaje

Grafa etnike në letërnjoftime mbetet në qorr sokak. Prej muajsh nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të shqyrtimit të propozim-Ligjit për letërnjoftime. Megjithëse nuk është lëvizur asnjë gurë, Lëvizja Besa vlerëson se nuk ka hequr dorë nga kjo çështje. Kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami thotë se me partnerët e koalicionit janë duke punuar për të gjetur mënyrën e duhur për miratimin e ndryshimeve. Ndonëse nuk shpjegon mënyrën përmes të cilës do të procedohet ligji, Kasami thotë se për një gjë të tillë do të njoftohemi shpejtë.

Jemi duke punuar në kuadër të mundësive institucionale që të gjejmë zgjidhje për të zhbllokuar punën e Komisionit që po mbahet peng na ana e opozitës. Aspak nuk kemi hequr dorë nga kjo çështje dhe as që është temë debati për tërheqje nga marrëveshja e koalicionit që grafa etnike të jetë në letërnjoftim. Përkundrazi jemi të bindur se së shpejti do të kemi edhe zgjidhje konkrete për këtë çështje”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Partitë shqiptare mbështesin propozimin, ndërsa partitë më të vogla në kuadër të LSDM-së janë deklaruar kundër grafës etnike në letërnjoftime. Lidhja Demokratike kishte paralajmëruar votimin kundër derisa propozimi vjen si pikë për votim, ndërsa partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE edhe pse kishte paralajmëruar qëndrim pas shqyrtimit të draftit, deri sot nuk janë prononcuar për një gjë të tillë. Kundërshtimet më të mëdha i ka adresuar partia E Majta e cila përmes 1.230 amendamenteve kërkon rrëzimin e propozimit. Sipas tyre, grafa etnike shuan konceptin nacional të shtetit dhe zbatohet kryesisht në vende totalitare. Kundër vendosjes së etnisë në letërnjoftime është deklaruar edhe ambasadori evropian në Shkup, Dejvid Gir duke theksuar se një praktikë e tillë do të hiqet edhe në ato vende të BE-së që e kanë aplikuar me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale. Grafa etnike në letërnjoftime ishte pjesë e marrëveshjes mes Kasamit dhe Zaevit në vitin 2019 si kusht për mbështetjen e ndryshimeve Kushtetuese./alsat/