Pavarësisht kërcënimeve të partisë “E Majta”, LSDM-ja thotë se ligji për shtetësi do të miratohet
Shumica parlamentare nuk i trembet paralizimit të Kuvendit të paralajmëruar nga “E Majta” e cila si motiv për bllokadë ka propozim-Ligjin për shtetësi të propozuar nga Qeveria me yll Evropian. LSDM-ja vlerëson se E Majta ka mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, opozita do ta paguajë çmimin e bllokadave në zgjedhjet lokale.
Ata bashkë me VMRO-DPMNE-në bllokojnë gjithçka. Ata ngjajnë me politikanët e shekujve të kaluar. Janë model se si nuk duhet të duket një politikan i ri maqedonas. Politikanët modernë gjejnë zgjidhje, mbështesin ligje që zgjidhin probleme dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve – u shpreh Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja pret ta vlerësojë tekstin e ligjit për t’u prononcuar nëse e mbështet ose jo. Partia më e madhe opozitare nuk deshi t’i komentojë bllokadat e paralajmëruara nga E Majta, por thotë se premtimet e LSDM-së janë se nuk do të keqpërdoret ylli Evropian për ligje përmbajtësore.
Si fillim do ta shohim procedurën e propozim-Ligjit për shtetësi. Do të presim nga transparenca e ashtuquajtur e LSDM-së dhe gatishmëria e tyre për debat gjithëpërfshirës. Ata thonë se për një ligj përmbajtjesor nuk do të keqpërdoret ylli Evropian. VMRO-DPMNE-ja është gjithmonë e hapur për çështje të rëndësishme dhe për debat – deklaroi Zhaklina Peshevska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Deklaratat e të Majtës nuk i komentoi as opozita shqiptare ASH-AAA. Thonë se energjia e tyre është koncentruar në miratimin e ligjit para pushimit vjetor të Kuvendit dhe se janë të hapur për ndryshime konstruktive dhe përmbajtjesore gjatë shqyrtimit të propozimit. Jo zyrtarisht, nevoja e propozim-Ligjit për shtetësi pritet të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e 22 korrikut. Leximi i tij do të bëhet në Komisionin për Çështje Evropiane.