Erë e fortë dhe dallgë në Velipojë, turistët braktisin plazhin
Moti i keq me erë, reshje dhe stuhi ka prekur edhe vijën bregdetare të Velipojës duke detyruar turistët që të braktisin plazhin, të paktën për ditën e sotme me shpresën se në ditët në vijim do të rikthehen temperaturat për të shijuar rrezet e diellit.
Gazetari i “ABC” Simon Shkreli sjell pamjet nga situata paraditen e sotme në plazhin e Velipojës, ku vërehet vetëm ndonjë qytetar që bën ecje buzë detit, ndërsa shezlongët nuk janë hapur.
E njëjta situatë, madje e shoqëruar me reshje shiu dhe vetëtima ishte në Durrës mëngjesin e sotëm, ndërsa edhe Tirana u zgjua me rrebesh.
Ballkani po goditet nga fenomeni i ashtuquajtur “liqeni i ftohtë”, i cili shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë./ db/Abcnews.al