Maqedoni e Veriut, shpallen zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, shpalli zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021, raporton Anadolu Agency (AA).
Menjëherë pas nënshkrimit të vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, Kryetari i Kuvendit Xhaferi mbajti një konferencë për media në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Sot nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarët e Këshillave Komunal dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, për kryetarët e komunave dhe për kryetar të Qytetit të Shkupit. Sipas kuadrit ligjor dhe afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021″, tha Xhaferi.
Sipas Xhaferit, vendimi i nënshkruar sot, në përputhje me afatet dhe praktikën e përcaktuar, do t’i paraqitet organit kompetent për zhvillimin e zgjedhjeve, Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke theksuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale do të fillojë 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, Xhaferi tha se gjatë fushatës Kuvendi nuk do të mbajë seanca plenare dhe seanca të komisioneve, duke lejuar kështu partitë politike dhe kandidatët e tyre që të angazhohen plotësisht për fushatën zgjedhore dhe kërkesat e qytetarëve.
“Unë pres që institucionet kompetente të sigurojnë zgjedhje në nivelin e pritur nga një anëtar i NATO-s dhe kandidati për anëtarësim në BE. Unë i bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të respektojnë plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe të veprojnë në përputhje me Kodin e Etikës, si dhe të sigurojnë që fushata dhe vetë dita e zgjedhjeve të zhvillohen në frymën e demokracisë, procesit zgjedhor të ndershëm dhe barazi e të gjithë qytetarëve”, tha Xhaferi.
Ai gjithashtu shtoi se nuk e përjashton mundësinë e thirrjes së një seance urgjente të Kuvendit në ato 20 ditë, nëse këtë e kërkon situata në vend.