Maqedoni

Maqedoni: Krerët shtetëror dhe politik bëjnë thirrje për regjistrim të qetë

Shpërndaje

Me fillimin e regjistrimit të popullsisë, krerët e shtetit dhe liderët partiak dërguan porosi tek qytetarët që të mos anashkalojnë këtë mundësi dhe të regjistrohen pasi sipas tyre kjo është në interesin e qytetarëve. Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lira, ka komentuar operacionin statistikor të regjistrimit. Ai ka vlerësuar se me kalimin e kohës duhet që përkatësia etnike të hiqet gjatë procesit të numërimit.

“Edhe po të duam, ne nuk mund plotësisht të dalim nga kjo matricë e numërimit sipas përkatësisë etnike sepse në Kushtetutën tonë ekziston një dispozitë që thotë se të drejta dhe statuse të caktuara u përkasin atyre komuniteteve jo shumicë që janë së paku 20 për qind e popullsisë, kështu që kjo është një dispozitë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, është dispozitë e Kushtetutës sonë, ne duhet ta respektojmë këtë, përndryshe pajtohem që ashtu siç ecim…së fundmi festuam 20-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë, mendoj se numërimi vetëm sipas përkatësisë etnike duhet të bëhet pjesë e historisë”, tha Pendarovski.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në profilin e tij të fejsbukut shkroi se, pas 20 viteve shteti ynë do të marrë të dhëna relevante të cilat do të shërbejnë për krijimin e politikave reale.

“Pas 20 viteve, përfundimisht shteti ynë do të marrë të dhëna relevante dhe aktuale të cilat më tutje do të jenë bazë për krijimin e politikave reale të cilat në përgjithësi përgjigjen në nevojat e qytetarëve. Që ky operacion të jetë i suksesshëm krahas profesionalitetit të të punësuarve në Entin Shtetëror për Statistikë dhe instruktorët e angazhuar dhe regjistruesit, nevojitet edhe bashkëpunimi nga të gjithë qytetarët. Prandaj ju bëj thirrje të bëheni partner në këtë proces, sepse vetëm në këtë mënyrë Qeveria, institucionet publike, vetëqeverisja lokale dhe bashkësia e biznesit do të mund të sigurojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Shqiptarët e cilësoi si të rëndësishëm regjistrimin, në veçanëti për shqiptarët, dhe se sipas tij duhet të jemi të vëmendshëm dhe përgjegjshëm për të përmbyllur me sukses këtë operacion.

“Sot fillon një proces i rëndësishëm për vendin në përgjithësi dhe për ne shqiptarët në veçanti. Duke patur parasysh se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht janë të lidhura ngushtë me shifra dhe përqindje, duhet të jemi edhe më të vëmendshëm dhe përgjegjshëm për të përmbyllur me sukses këtë operacion. Përveç kësaj, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave do të jetë i rëndësishëm edhe për planifikimet në ekonomi dhe të gjitha sferat e tjera shoqërore dhe institucionale. Bëni kujdes, qëndroni të gatshëm dhe regjistroni të gjithë anëtarët e familjes tuaj”, tha Sela.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë priten të shpallen pas katër muajve. Në të njëjtën kohë do të përfundojë edhe regjistrimi online i diasporës i cili nisi më 1 prill të këtij viti.