Drejtorët nuk kanë kërkuar libra në Ministri, filloristët mësojnë me libra të shkarravitura
Me libra të shkarravitura dhe të grisura po mësojnë nxënësit e shkollave fillore. Këta janë nxënësit e shkollës fillore Jashar Bej Shkupi. Ata thonë se shumica e librave u mungojnë, ndërsa ato që i posedojnë janë të shkarravitura. Për këtë gjë shumica e nxënësve kanë fotokopjuar librat.
“Ja shikoni si është anglishtja, kjo është gjuha shqipe e imja. Librin e gjuhës shqipe nuk e kemi plot veta, vetëm disa i kemi”.
TV21: Nuk ju japin libra tjerë?
“Jo duhet t’i fotokopjojmë”.
“Kërkojnë që ne vet t’i bëjmë, jo arsimtarët”.
TV21: Ju vetë t’i kopjoni?
“Po. Ja ky është i grisur. Kemi edhe tjerë por i kemi në shtëpi”.
TV21: A mundeni të mësoni me këto libra?
“Po kapak”.
Një pjesë e nxënësve fare nuk kanë marrë libra në disa lëndë.
“Ka shumë libra që mungojnë”.
TV21: Cila klasë jeni ju?
“E teta”.
Por drejtori i shkollës fillore “Jashar Bej Shkupi”, Rrahim Maksuti thotë se s’ka libra të grisura, por vetëm se mungojnë libra në disa lëndë.
“Nuk do të thotë që është shumë e vërtetë këtë që po e thoni me librat e grisura, për shkak se në çdo fillim të vitit i shpërndajmë nxënësve librat. Është e vërtetë që mungojnë disa libra, por procesi i mësimit vazhdon dhe është ne rregull. Për disa libra jemi në pritje nga Ministria edhe dje kemi marrë disa libra”, tha Rrahim Maksuti – Drejtor i Shkollës Fillore “Jashar Bej Shkupi”.
Përveç që nuk beson se ka libra të grisuara drejtori as nuk e ka njoftuar kryetarin e komunës së ka mungesë të librave.
“Një informatë të tillë nuk ka arritur te unë. Kam mbajtur mbledhje të rregullta para se të filloj procesi edukativo-arsimor dhe me gjithë drejtorët jemi dakorduar që gjithçka është në vijë”, u shpreh Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairit.
Edhe ministrja Carovska fajin ua lë drejtorëve të shkollave. Sipas saj, sa libra kanë kërkuar me aq libra janë furnizuar.
“Në qoftë se nuk kanë kërkuar nga ministria libra, tash duhet të gjejnë zgjidhje se si do tu dorëzojnë librat nxënësve. Ministria nga muaji mars mbledh të dhëna se kush sa libra ka, sa libra janë të nevojshme, tash është me rëndësi që shkollat të ballafaqohen vetë me sfidat”, potencoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Në pothuajse të gjitha shkollat fillore ka mungesë të librave të gjuhës shqipe, maqedonase, gjeografi, histori, anglisht dhe gjermanisht.