Krasniqi dhe Gjakova punësohen në Forcat e Armatosura Shqiptare
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ditën e sotme se do të bënte pjesë të FA dy sportistet kosovare që fituan medalje të artë në lojërat Olmpike të Tokios.
Kjo ka marrë formën e një vendimi në mbledhjen e këshillit të ministrave ditën e sotme.
Kështu siç mësohet nga vendimi dy sportistet shqiptare nga Kosova, medalistet e arta Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë punësuar në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ato do të jenë pjesë e forcave të Armatosura Shqiptare.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Fillimin e procedurave për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes të znj. Distria Krasniqi dhe znj. Nora Gjakova, fituese të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, për performancën e shkëlqyer në arenën ndërkombëtare sportive, për përfaqësimin dinjitoz, nëpërmjet një arritjeje mbarëkombëtare suksesi dhe talenti të sprovuar.
Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.