Kamberi e quan fashizëm idenë serbe për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë të ditur se ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër.
Sipas Kamberit nëse vërtetë ekziston një ide e tillë dihet që autori i saj është Aleksandër Vuçiq i cili po paraqitet si paqëruajtës i Ballkanit.
Postimi i plotë:
Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastërt
Nëse me të vërtetë ekziston ideja për mbylljen e kufirit në Konçul, atëherë mund t’a paramendoj kush edhe është autori i saj. Por, është fakt që “nëpërmjet parandalimit të saj” A. Vuçiq po e paraqet vetën si paqëruajtës i Ballkanit.
Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullësisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të hapur me të cilën Vuçiq po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët, do të ishte edhe fundi i Open Ballkans.
Shqiptarët me siguri nuk do të duartrokisnin këtë rast. As nën kërcënimin e cilës do fuqi nuk do të pajtoheshim me idenë që të na vendosin në ndonjë rezervat.
Ne tashmë jemi mësuar me prezentimin e shpeshtë të disa ideve të çmendura të cilat munden të nxisin konflikte por në fund na vjen Vuçiq që po i “parandalon”. Kujtone idenë e Marko Gjuriqit me trenin shumëngjyrësh.
Në elitën qeverisëse serbe, mjerisht, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjët, e të cilat, paqëruajtësi Vuçiq po i “parandalon”. I gjithë qëllimi është ta prezentojnë atë si të “vetmin që i kontribuon paqës në rajon”.
Por më duhet patjetër ta them që personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastërt politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar.