Arrestohen tre persona për blerje online me kartela të klonuara
Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit”.
Siç njofton policia, ata janë kapur nga hetuesit policorë – Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri tjetrin përmes kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme (telefona mobil). Ndërsa dëmi i shkaktuar nga këto blerje është mbi 10,000 (dhjetëmijë) euro”.
“Hetuesit policorë kanë kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar, katër telefona mobil dhe dokumentacion relevant që dëshmon blerjen e tyre”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit me vendim të Prokurorit, të dyshuarit B.M., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe V.H., viti i lindjes 2000, mashkull kosovar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, kurse i dyshuari Rr.M., viti i lindjes 2004, mashkull kosovar lirohet në procedurë të rregullt.