Maqedoni

Integrimi evropian, Zaev pret rezultat pas zgjedhjeve në Bullgari

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev beson se porositë pozitive që vinë nga Sofja mund të jenë një mundësi e mirë për zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në vend dhe zgjedhjeve parlamentare në shtetin fqinj. Bullgaria, e cila prej muajsh drejtohet nga një qeveri teknike, do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 nëntor.

Kryeministri teknik bullgar Stefan Janev në një intervistë për mediat bullgare një ditë më parë kishte deklaruar se pas zgjedhjeve në Bullgari, dialogu mes dy vendeve mund të marrë kuptim dhe dinamikë tjetër. Ai ka shtuar se duhet të kërkohet marrëveshje në interes të të ardhmes së të dy vendeve dhe jo të mbetemi në të kaluarën.

Profesori Nenad Markoviq është skeptik për arritjen e shpejtë të një marrëveshje mes dy vendeve. Ai për Radion Evropa e Lirë thekson se e vetmja gjë që ndoshta mund të ndihmojë është presioni ndërkombëtar ndaj Sofjes.

Sipas meje, vetë fakti që Bullgaria nuk mund të formojë qeveri është problemi i parë. Kurse problemi i dytë është që, edhe nëse arrin të formojë, ajo do të jetë qeveri ku marrëdhëniet do të jenë shumë të tendosura dhe nuk do të ketë shumë mundësi për të lëshuar pe ndaj Maqedonisë. Do të krijohet një atmosferë në të cilën negociatat do të shkojnë shumë vështirë. E vetmja gjë që mund të ndihmojë deri në një masa të caktuar dhe që nuk është një shkop magjik edhe pse ashtu e perceptojmë këtu, është presioni ndërkombëtar. Megjithatë, edhe presioni ndërkombëtar ka fuqinë e tij të kufizuar, edhe pse këtë ne e harrojmë shpesh – tha Nenad Markoviq, profesor.