RajoniTop Lajme

Momenti kur Goran Stanishiq dënohet me 20 vjet burgim për krime lufte (Video)

Shpërndaje

Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënim me burgim prej 20 vjetëve, Goran Stanishiq të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e pesë familjarëve nga Fshati Sllovi i Lipjanit.

Të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 20 korrik 2019 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari, në seancën e fundit  deklaroi se “Nga shqyrtimi gjyqësor, ajo çka është vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme është që me datën 15 prill 1999 në fshatin Sllovi janë vrarë, M. G., O. G., E. G., B. H., A. G., F. B., R. K., A. I., I. B., J. K., M. P., B. G., më datën 16 prill 1999 është vrarë Z. G. dhe është plagosur rëndë e dëmtuara A1”.

Pikën e parë të aktakuzës për vrasjen e 5 anëtarëve të familjes G…, më 15 prill 1999 në fshatin Sllovi, e mbështes në dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar në këtë shqyrtim gjyqësor NN dhe NN.

Prokurorja Hajdari theksoi se “Kisha potencuar që dëshmitë e këtyre dëshmitarëve janë në përputhje të plotë njëra me tjetrën lidhur me faktet relevante, se i akuzuari Goran ishte në mesin e personave të uniformuar të cilët kanë vra 5 anëtarët e familjes G…, dhe ato janë mëse të sigurta në lidhje me këtë”.

“Pikën e dytë të aktakuzës në lidhje me vrasjen e F. B., që ka ndodhur po ashtu më datën 15 prill 1999, e mbështes në dëshmitë e dëshmitarëve F. G., R. B.”.

Prokurorja Drita Hajdari tutje shtoi se dëshmitarët e mbijetuar i kanë treguar babait të F. B. se në mesin e tyre që kanë shtënë në drejtim të F. B., F. G. dhe R. B., e ku i vrarë ka mbetur F. B., ka qenë Goran Stanishiq.

Ndërsa për pikën e tretë të aktakuzës për vrasjen e gjashtë civilëve, prokurorja Drita Hajdari në fjalën e saj përfundimtare tha se: “Gjatë vendosjes në lidhje me këtë krim ju lutem të kini parasysh skenën e krimit ku njerëzit ikin nga fshati, i largojnë nga kolona, 6 persona, 6 civil i mbështetin për muri dhe i akuzuari është aty së bashku me tjerë dhe ndihmon edhe merr pjesë në atë krim, jo vetëm me prezencën e tij, por ai aktivisht merr pjesë sepse kemi dëshmitarë që thotë se ai e ka ndal J… nga kolona, e mbështet për muri ku ishin të mbështetur civil shqiptarë dhe ata të gjithë vriten”.

“Do të thotë se Goran Stanishiqin në atë ditë, në atë kohë, në vendin e krimit e kanë parë dëshmitarët, ku nuk e ka parë vetëm një, por e kanë parë disa dëshmitarë”, deklaroj prokurorja Hajdari.

Ndërsa për pikën e katër të aktakuzës ajo tha se: “Besomëni që sa punojë në fushën e krimeve të luftës është një prej rasteve më tronditëse që kam pas në punë”.

Duke mbështetur këtë në dëshminë e të dëmtuarës A1, e cila kishte mbetur e plagosur në atë ditë.

Prokurorja propozoi që alibia e paraqitur nga ana e të akuzuarit të refuzohet për shkak se ekzistojnë kundërthënie në dëshmitë e dëshmitareve të propozuar nga mbrojtja e të cilët janë familjarë të afërt të të akuzuarit e të cilët sipas saj është e arsyeshme që ta mbrojnë atë.

Në fund të fjalës përfundimtare prokurorja Drita Hajdari ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Palët e dëmtuara, në seancën e sotme janë deklaruar se e mbështesin në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores. Ata deklaruan se e ndjejnë vetën palë të dëmtuar, por asnjëri nga ata nuk ka kërkuar kompensim pasuror-juridik, ata kanë kërkuar që i akuzuari të dënohet me dënim meritor.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Goran Stanishiq, avokati Ljubomir Pantoviq në fjalën e tij përfundimtare, vuri në mëdyshje kredibilitetin e dëshmitarëve duke potencuar se në deklaratat e dhëna të këtyre dëshmitareve pas përfundimit të luftës, në UNMIK dhe para EULEX-it të njëjtit në asnjërën prej dëshmive të tyre nuk kanë përmendur emrin e tani më të akuzuarit.

“Dëshmitë të cilat i ka ofruar prokuroria nuk janë bindëse ashtu siç pretendon prokuroria, sepse ka mospërputhje dhe paqartësi në dëshmitë e dëshmitarëve”, deklaroi Pantoviq.

Avokati Pantoviq para trupit gjykues tha se nuk e mohon faktin se më datë 15 prill 1999 dhe më 16 prill 1999, në fshatrat e komunës së Lipjanit, të cekura në aktakuzë ka ndodhur vrasja e civilëve të pafajshëm.

Ai gjithashtu deklaroi se: “Unë e di se familjet e të vrarëve e presin drejtësinë dhe e meritojnë drejtësinë, por nuk është drejtësi nëse fajësia është jashtë dyshimit të bazuar”.

Në fund të fjalës së tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari Goran Stanishiq, të lirohet nga aktakuzat dhe të shpallet i pafajshëm.

Ndërsa i akuzuari Goran Stanishiq deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe shtoi se ai nuk e ndjen vetën fajtor dhe se nuk është fajtor, ai gjithashtu tha se i vije keq për të gjithë vendasit e tij nga Sllovia, “mirëpo unë nuk jam fajtor dhe nuk i kam ndihmuar atij krimi në asnjë mënyrë”.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë serbe.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar.