Kriza energjetike në Maqedoni, ekspertët me këshilla për Qeverinë
Pas tenderit të pasuksesshëm për prokurimin e qymyrit për TEC “Manastirin”, ekspertët paralajmërojnë se vendi është para një kolapsi energjetik. Shteti duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë, edhe pse në energjetikë nuk ka të tillë, thotë për Alsat konsulentja për energjetikë, Sanja Bozhinovska. Qeveria duhet të përpiqet të rikthejë në jetë disa nga objektet energjetike.
“Fatkeqësisht, këtu nuk ka zgjidhje të shpejta. Tenderi nuk ishte i suksesshëm dhe ne si publik nuk i kemi parë ofertat e kompanive. Fqinji ynë jugor ka minierë në Florinë, kështu që ndoshta në nivel shtetëror mund të përpiqemi të blejmë një milion e dyqind mijë ton qymyr. Ne kemi edhe rezervën në TEC Negotinë, që sipas informacioneve të mia ka punuar për herë të fundit para 12 viteve. Por pyetja është nëse ka rezerva të naftës dhe nëse TEC Negotinë mund të funksionojë në përgjithësi”, tha Sanja Bozinovska, konsulente për energjetikë.
Nga Termocentralet shtetërore thonë se e kanë intensifikuar nxjerrjen e qymyrit në TEC Manastir dhe TEC Osllomej për të siguruar prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike për amvisëritë. Gjithashtu është rritur edhe prodhimi në termocentralet me ujë, erës dhe gaz.
“Prokurimi i qymyrit, të cilin e realizojmë me rekomandim të Qeverisë dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike, për shkak të çmimeve të larta në bursat në rajon dhe në Evropë, është ekskluzivisht për nevojat e tregut të hapur, respektivisht ekonomisë dhe institucioneve, me qëllim furnizimin me energji elektrike me çmime më të ulëta se çmimet aktuale në bursë”, pohoi Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.
Nëse sasia e kërkuar e qymyrit nuk gjendet, opsionet e mëposhtme alternative janë shumë më të shtrenjta dhe më të komplikuara për t’u blerë, pohon Bozhinovska.
“….por ne për fat të keq nuk kemi plan për 60 ditët e ardhshme, ndërsa jemi në prag të dimrit. Burimet e rinovueshme dhe energjia e gjelbër i duam të gjithë, por realiteti është se ato varen nga natyra. Çka nëse nuk ka erë të mjaftueshme, ditë të mjaftueshme me diell dhe ujë?”, tha Sanja Bozhinovska, konsulentë për energjetikë.
Ndryshe, dje dështoi tenderi për sigurimin e 900 mijë tonëve qymyr për aktivizimin e bllokut të tretë në TEC Manastir. Nga Elektro-ekonomia e Maqedonisë së Veriut konfirmuan se për Termocentralin Osllomej janë siguruar 300 mijë tonë qymyr për vënien e sërishme në funksion. Tani autoritetet paralajmëruan shpalljen e tenderit të ri ndërkombëtarë për sigurimin e qymyrit për termo-elektranën e Manastirit.