Kasami: Derisa nuk del Kastriot Rexhepi me figurë dhe zë, dyshoj që mbahet diku dhe nuk lejohet të vijë në Kuvend
Unë dyshoj që Kastriot Rexhepi mbahet diku pa vullnetin e tij dhe nuk lejohet të vijë në Kuvend. Kështu deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në konferencë për shtyp para Kuvendit, në lidhje me ndodhitë e fundit, ku deputeti i kësaj partie, nëpërmjet Facebookut njoftoi se nuk do të vijë në Kuvend dhe me këtë e prishi shumicën prej 61 deputetëve për votimin e votëbesimit të Qeverisë, njofton Portalb.mk.
“Kam dyshime të bazuara se deputeti mund kundër vullnetit të tij të jetë i ndaluar, përderisa nuk kam qëndrim të tij me figurë dhe zë ku ai deklaron se ky është pozicion i tij dhe këtë pozicion e ka në bazë të vullnetit të tij”, tha Kasami.
Ai tha se Lëvizja BESA, qëndron në deklarimin e saj për rrëzimin e Qeverisë.
“Lëvizja BESA qëndron e palëkundur në rënien e këtij regjimi i cili edhe me veprimet e fundit, tregoi se është i gatshëm për gjithçka për të mbetur në pushtet. Sa i përket qëndrimit të deputetit Kastriot Rexhepi, deri tash nuk kam pasur komunikim. Nuk kemi informata se ku gjendemi. Jam në komunikim me institucionet”, tha Kasami.
Ai shtoi se për herë të fundit me Rexhepin dje ka komunikuar dhe siç thotë ai nuk ka pasur ndonjë sinjal se deputeti në fjalë mund të bëjë ndonjë.