Rajoni

​Rama: Prishtinën do ta vendosim për të mirë në hartat e botës

Shpërndaje

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka premtuar që do të realizojë të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës për garën e kryeqytetit.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e nxjerrin Ramën fitues, duke e lënë prapa kundërkandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitinë. Përparim Rama ka folur para simpatizantëve në sheshin e Prishtinës, ku ka thënë se kryeqytetin e Kosovës do ta vendos për të mirë në hartat e botës.

Kandidati i LDK-së ka thënë se do të punojë derisa të realizojë transformimin e kryeqytetit të cilin e ka premtuar gjatë fushatës.

“Kemi me bë Prishtinë qysh jemi na qysh e kemi zemrën kështu të mirë, Prishtinën me bo me na bo me u ndje krenar, e meritojmë e ju premtoj që me zellin më të madh kam me punu derisa ta bëjmë transformimin të cilin ju kam premtu, do të bëhet, do ta bëj Prishtinën me karakter unik në botë…. Kam dalë si 16 vjeçar prej Prishtinës, kam shku në Londër… ju dua, sa shumë ju dua, ju dua. Përparim Ramës 16 vjeçar i kam premtuar që Prishtinën kur të më vet dikush ku është Prishtina, ka me ditë ku është Prishtina, Prishtinën kemi me qit në harta të botës për të mirë”, ka thënë ai.

Ai ka falënderuar të gjithë përkrahësit duke përmendur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun për të cilin ka thënë që ka pasur guxim të transformojë LDK-në dhe të dalë përtej partisë duke e sjellur një figurë tjetër për të mirën e Prishtinës.

E Lumir Abdixhiku ka uruar fitore për të gjitha komunat ku LDK po prinë sipas rezultateve preliminare.

“Kjo natë feste e Prishtinës shoqërohet edhe me festa tjera nëpër Kosovë. Prandaj, më lejoni që në emër tuaj t’iu uroj fitore të gjitha komunave ku LDK-ja sot ka fituar e ka kryetarë të rinj. Dëgjuam, ecëm bashkë me ju, u ngritëm, u rikthyem. Kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Në garë për Prishtinën kanë qenë Përparim Rama i LDK-së dhe Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas rezultateve preliminare të KQZ-së kanë një diferencë të votave prej 2%.