BotaTop Lajme

Austri, kancelari voton kundër vetes: I hiqet imuniteti

Shpërndaje

Parlamenti austriak votoi për heqjen e imunitetit të ish kancelarit, Sebastian Kurz, një lëvizje kjo që i hap rrugën hetimit të politikanit konservator për korrupsion dhe dëshmi të rreme.

E çuditshme ishte se 35-vjeçari Kurz votoi edhe vet për heqjen e imunitetit parlamentar.

Kurz dhe partia e tij ÖVP e mbështetën këtë hap, për të mundësuar zbardhjen e shpejtë të akuzave.

Prokuroria e krimit ekonomik dhe korrupsionit po heton ndaj Kurz dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë politik për shkak të dyshimeve për abuzim.

Përmes sondazheve të modifikuara me para taksash mendohet të jetë ndihmuar ngjitja e tij në karrierë si kryetar i ÖVP-së dhe kancelar.

Veç kësaj ndaj Kurz janë bërë denoncime për dëshmi të rreme në komisionin hetimor parlamentar, që hulumtonte çështjen e korrupsionit në qarqet e ÖVP-së dhe partisë së djathtë FPÖ.

Ai vetë i ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza. Në 6 tetor pati kontrolle ndër të tjera në kancelari, në selinë e ÖVP-së dhe në Ministrinë e Financave.

Kurz fillimisht ngurroi të japë dorëheqjen, kujton DW, por kërcënimi për mocion votëbesimi nga partia ekologjiste dhe opozita në parlament e nxitën atë pak ditë më pas të deklarojë dorëheqjen si kancelar.

Ai qendroi kryetar i ÖVP-së duke kaluar në pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar.