Maqedoni

Mickoski: Pjesëmarrja e Alternativës në qeveri, hap i gabuar

Shpërndaje

Çfarëdo lloj pjesëmarrje e partisë politike Alternativa në një qeveri të tillë paraqet hap të gabuar, por kjo mbetet në udhëheqësinë dhe liderin e asaj partie politike, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot në Manastir.

Në konferencën për shtyp Mickoski potencoi se nuk dëshiron të përzihet në punën e partive tjera politike sepse është politikisht e pakulturuar.

“Nuk jam në rrjedha me përmbajtjen e bisedës ndërmjet Zaevit dhe Gashit. Qëndrimi ynë është i qartë, kjo qeveri është qeveria më e korruptuar në 30 vitet e fundit dhe e gozhdon Maqedoninë në thellësi sipas perceptimit për krim, gjegjësisht është në majë sipas shkallës për krim dhe korrupsion. Shteti ynë është më vendin e 111 dhe është më e korruptuara në Evropë. Ne jemi shtet i cili ka arsim jokonkurues për shkak të reformave katastrofale, gjendja në shëndetësi është e tmerrshme dhe si shtet ne jemi në tre vendet e para sipas numrit të personave që i humbën jetët për shkak të paaftësisë së qeverisë të ballafaqohet me pandeminë Kovid-19. Katastrofën në sektorin energjetik nga data 1 do ta ndjejmë edhe në xhepin tonë, ose të përfundoj, ç’farëdo lloj pjesëmarrje e partisë politike Alternativa në një qeveri të tillë paraqet hap të gabuar, por kjo mbetet në udhëheqësinë dhe liderin e kësaj partie politike, dhe unë nuk dua të përzihem në punën e partive tjera politike sepse është politikë e pakulturuar”, deklaroi Mickoski.

Ai potencon se nëse Republika e Bullgarisë sërish vendos veto për fillim të negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, nuk do të përkeqësohet gjendja e sigurisë në shtet.

“Dëgjova nga një zëvendëskryeministër aktual se kërcënohet me deklarata militante se do të kishte probleme sigurie dhe prandaj unë dua t’i qetësoj qytetarët se probleme të tilla nuk do të ketë dhe se kërcënimi i vetëm i sigurisë për shtetin është koalicioni kriminel LSDM dhe BDI. Nuk do të doja të besoj në përpjekjen për manipulim dhe frikë te qytetarët nga ana e politikanëve të cilët nuk dinë të shikojnë në të ardhmen”, potencoi Mickoski.

Gjatë qëndrimit në Manastir kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i shoqëruar nga kryetari i komunës Toni Konjanovski mori pjesë në takim me ekonomistët e qytetit dhe paralajmëroi projekt të ri që do ta realizojnë autoritetet lokale.

“Nga Manastiri e paralajmëroj projektin “Të hapur me qytetarët – krijojmë ardhmëri të re”, që do të jetë shtyllë në luftën e padiskutueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë projekt do të punojë një ekip që do ta përbëjnë ekspertë nga partia politike por edhe nga sektori qytetar dhe ku qytetarët do të mund të paraqesin çdo keqpërdorim të së drejtës së tyre për administratën komunale, në ato komuna në të cilat VMRO-DPMNE ka shumicë në Këshill dhe kryetar të komunës. Njëkohësisht do të mund të paraqesin kënaqësinë ose pakënaqësinë e tyre dhe do ta ndjekin realizimin e programit me të cilin morëm pjesë në zgjedhjet lokale, ndërsa me qëllim që të mund ta ndjek atë që e kam premtuar në fushatë sepse premtimi duhet të dorëzohet me ndershmëri dhe me dinjitet. Me këtë projekt kthejmë listë të re të punës së administratës komunale të cilën do ta reflektojmë edhe në administratën qendrore”, theksoi Mickoski.

Në pragun e Kongresit të rregullt të ardhshëm të VMRO-DPMNE-së, Mickoski paralajmëroi se këtë javë do ta dorëzojë kandidimin për zgjedhje të kryetarit të partisë politike.