Kurti: Vendimi i ShBA-së vërteton legjitimitetin e Policisë në komunën veriore të Mitrovicës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimi të ShBA-së, për të vendosur sanksione ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vendimi i ShBA-së, vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës në komunat veriore.
Postimi i plotë:
Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.
Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.
Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë.
Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.